Rreth 70,000 banorë të qytetit Frankfurt do të detyrohen të lënë shtëpitë e tyre të dielën, pasi në qytet është gjetur një bombë e pashpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore.
Ky do të jetë evakuimi më i madh i bërë ndonjëherë për shkaqe të tilla.
Bomba britanike, e cila peshon 1.8 ton dhe është dy metra në gjatësi, është gjetur gjatë ndërtimit në Wismarer Strasse në rrethin e Westend, sipas Frankfurter Rundschau.
Mediat gjermane thanë se bomba u quajt “Wohnblockknacker” (blockbuster) gjatë luftës, për shkak të vetive të saj shkatërruese.
Një zëdhënës i policisë tha të mërkurën se 70,000 njerëz duhet të largohen nga shtëpitë e tyre, duke nënkuptuar se pothuajse një në dhjetë prej 717,000 banorëve të qytetit do të duhet të evakuohen.
Zyrtarët po ruajnë vendin dhe atje “aktualisht nuk ka rrezik”.
Policia tha se bomba në fjalë ishte një HC 4000, e përdorura në sulmet ajrore nga forcat britanike.
“Për shkak të madhësisë së bombës, duhet të merren masa të gjera të evakuimit,” tha policia.
Policia shpreson që evakuimi të përfundojë deri në mesditë, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë me shkatërrimin e bombës.
Evakuimi më i madh deri më tani në epokën e pasluftës u zhvillua në Augsburg në prag të Krishtlindjeve vitin e kaluar. Me këtë rast 54,000 njerëz duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre, pasi një bombë prej 3,8 tonësh u gjet në qytetin jugor.
Është pothuajse e zakonshme që bombat e pashpërthyera të gjenden gjatë ndërtimit në zonat urbane në Gjermani.
Në muajin maj, 50,000 njerëzve u është dashur të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Hanover gjatë një operacioni të asgjësimit të bombës. /MESAZHI/