Europianët të varur ndaj alkoolit, 1 në 20 persona janë konsumatorë

Europianët kryesojnë listën e konsumit ndërkombëtar të alkoolit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, europianët pijnë mesatarisht 9.2 litra alkool në vit.

“Europa vazhdon të mbajë rekordin për nivelet më të larta të konsumit të alkoolit dhe efektet e dëmshme të lidhura me të në nivel global”, tha Dr Goden Galea, zyrtari i OBSH-së për Europën.

Ky studim u bazua edhe nga të dhënat më të fundit të disponueshme nga viti 2019. Sipas OBSH, në vendet e BE-së nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në nivelet e konsumit të alkoolit për më shumë se 10 vjet.

Sipas të dhënave, meshkujt konsumojnë më shumë alkool në Europë: 14.9 litra në vit mesatarisht, ose katër herë më shumë se femrat, 4 litra në vit. Në vendin e dytë pasojnë banorët e kontinentit amerikan, me një mesatare prej 7.5 litrash në vit.

Një në dhjetë të rritur në Europë vuan nga një çrregullim i lidhur me alkoolin dhe pothuajse një në 20 është i varur prej tij, thekson Dr Goden Galea. Sipas raportit të OBSH, alkooli është shkaku kryesor i vdekshmërisë me afërsisht 800,000 vdekje çdo vit në Europë.

Alkooli shkakton shumë sëmundje jo të transmetueshme si sëmundjet kardiovaskulare, kancer, diabet dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes. Këto sëmundje janë përgjegjëse për 90% të të gjitha vdekjeve në rajon.

Organizata u bën thirrje vendeve europiane të rrisin taksat për pijet alkoolike, të zbatojnë kufizime globale në tregtinë e alkoolit dhe të zvogëlojnë disponueshmërinë e tij.

Alkooli vret 2.6 milionë njerëz çdo vit në mbarë botën, një numër që mbetet “i papranueshëm” dhe duhet të merren masa, sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. /abcnews