Europa mes temperaturave 40 gradë dhe shiut e dëborës

Mediat britanike japin alarmin për një valë të nxehti në vendin e konsideruar si sinonim i shiut e të ftohtit: Mbretëria e Bashkuar, thotë Daily Express bazuar në parashikimin e sinoptikanëve të BBC-së, do të përballet brenda ditës me një përvelim ndëshkues që në disa pjesë të Europës mund ta shohë termometrin të mbërrijë deri në 40 gradë Celsius.

Kështu në Qipro, banorët do të shijojnë verën me temperatura tek 38 gradë Celsius, dhe kjo, në kohën kur pjesë të tjera të kontinentit përballen me një front të presionit të ulët që ka lëshuar erëra të furishme në mjaft zona të Europës Qendrore.

E ndërsa moti duket do të jetë i bukur në veri të Europës përgjatë ditëve në vazhdim, juglindja e saj bën llogaritë me të ftohtin dhe reshjet e dendura. Kemi shira të vazhdueshëm në veri të Greqisë e në Ballkan, thotë e përditshmja britanike, e sistemi i stuhive dhe po lëviz edhe me tej drejt Europës lindore. Diell dhe ngrohtë në Spanjë e Portugali, Skocia dhe veriu i Anglisë presin përgjatë 24 orëve temperaturat më të larta të vitit ndërsa Korsika u zbardh nga dëbora, me temperatura që shkonin në 3 gradë Celsius, e qyteti kroat i Splitit, nuk ka pasur ndonjëherë një fillim maji kaq të ftohtë që prej nisjes së regjistrimit të të dhënave metereologjike.

Fundjava sakaq, nuk duket premtuese për Britaninë sepse me shumë gjasë do të rikthejë shiun e të ftohtin, e ftohje e motit parashikohet edhe për Portugalinë e Spanjën.