Europa e refuzon mishin nga Brazili, por ne e blejmë masivisht!

Evropa po vijon të bllokojë masivisht tonelata me mish pule të importuara nga Brazili për shkak të kontaminimit të tyre me salmonelë. Sipas të dhënave të AgroWeb.org të konsultuara nga Agjencia e Sigurisë Ushqimore pranë Komisionit Europian rezulton se në vetëm dy muaj, për Qershorin dhe Korrikun në portet e vendeve të BE, si Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Angli, Francë, Spanjë, janë bllokuar 117 ngarkesa me tonelata mish pule nga Brazili.
Të gjitha tonelatat janë bllokuar në portet përkatëse dhe janë kthyer mbrapsht për në vendin e origjinës, për shkak të prezencës së lartë të salmonelës. Ndërkohë në total, për gjatë këtij viti, vendet e BE kanë bllokuar rreth 766 ngarkesa me mish pule brazili të kontaminuar. E nëse në vendet e BE, bllokimi i tonelatave të tilla ndodh thuajse në çdo dy javë, në Shqipëri një bllokim i tillë ka ndodhur vetëm një herë, kur një ngarkesë me 26 ton mish pule të kontaminuar me salmonelë u sekuestrua në portin e Durrësit më 15 maj 2017.
Pas lajmit mbi këtë rast, shqiptarët me të drejtë u panikuan dhe u orientuan drejt konsumimit të pulave të prodhuara në vend. Por sa garanci ka që ngarkesa të tjera me mish pule Brazili të kontaminuar me salmonelë të mos jenë futur në tregun shqiptar, e të mos jenë prezente edhe sot në dyqane e marketet shqiptare?
Dyshimet lindin jo vetëm nga të dhënat mbi importin masiv që vendet e BE vijojnë edhe sot ta refuzojnë por mbi të gjitha nga terri informativ që hasim përditë në dyqanet apo supermarketet teksa drejtohemi për të blerë produktet e mishit të pulës.  AgroWeb.org zhvilloi një vëzhgim mbi shumë dyqane, markete e supermarkete në zona të ndryshme të Tiranës.
Rezultati ishte i njëjtë: Të gjitha produktet e mishit të pulës të eskpozuara në banak, krahas pulave të vendit të cilat janë me stampat përkatëse, nuk kanë asnjë informacion përcjellës mbi origjinën e tyre. Krahë pule, gjoks e kofshë pule, fileto apo kotoleta etj, të gjitha të ekspozuara në ambjentet e posaçme frigoriferike por pa asnjë etiketë apo informacion përcjellës mbi vendin e origjinës së tyre.
Një gjë është e sigurtë, në rast se do të ishin produkte vendase ato do të ishin me siguri të stampuara me etiketat përkatëse. Shitësit e dyqaneve apo supermarketeve, të pyetur mbi origjinën e mishit të pulës me prejardhje të paspecifikuar nuk dinë si të përgjigjen. Pyetjes së AgroWeb.org se cila është prejardhja e këtyre produkteve-të zënë ngushtë e paksa në siklet, ata i përgjigjen gjithë dyshime edhe vetë – “Janë të freskëta, sot i kemi nxjerrë!”.
Rrjedhimisht, dyshimet janë të forta se Shqiptarët janë potencialisht të ekspozuar ndaj rrezikut që vjen për shëndetin nga mishi i pulave braziliane, pavarësissht kujdesit që tregojnë në përzgjedhjen e produkteve të mishit të pulës.
Ndaj dhe e vetmja garanci për të shmangur konsumimin pa dashje të mishit të importuar nga Brazili është konsumimi i mishit të pulave vendase. Është pikërisht kjo arsye, pse sot, në Shqipëri konsumatorët po orientohen përherë e më shumë drejt prodhimeve shqiptare të mishit të pulës duke evituar në maksimum çdo prodhim të dyshuar, i cili nuk ka asnjë të dhënë mbi origjinën e prodhimit të tij./AgroWeb.org/