Eurodeputeti italian, Della Valle: Izraeli e sheh situatën në Siri si mundësi për të avancuar pushtimin e tij

Anëtari i Parlamentit Evropian (PE), Danilo Della Valle

Anëtari i Parlamentit Evropian (PE), Danilo Della Valle tha se Izraeli e sheh situatën në Siri si një mundësi për të avancuar më tej pushtimin e tij dhe se Bashkimi Evropian (BE) duhet të bëjë thirrje për të ndaluar këtë, raporton Anadolu.

Eurodeputeti italian Della Valle, anëtar i grupit të majtë në PE bëri një vlerësim për pushtimin e zonës tampon në Siri nga Izraeli pas rënies së regjimit Baath dhe mungesës së reagimit të BE-së për këtë.

“Siria po kalon një proces kompleks dhe se është befasuese të shohësh që gjatë kësaj Izraeli po pushton këtë vend. Sigurisht Izraeli mund të mendojë se mund të përfitojë nga ky moment. Por, është marrëzi për ne të shohim këtë sepse krijon problem të ri”, tha ai.

Në seancën urgjente në PE, Della Valle tha se Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas i ka drejtuar pyetjen se “Izraeli aktualisht po përfiton nga kjo trazirë për të pushtuar disa pjesë të Lartësive të Golanit. Izraeli po bombardon disa qendra kërkimore dhe fabrika të armëve. Pra, ne shohim që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po shkel më shumë ligjin ndërkombëtar. Kjo rrezikon të komplikojë më tej situatën. Si mendon BE-ja të ndërhyjë ndaj kësaj situate?”.

Della Valle thekson se Kallas nuk i është përgjigjur pyetjes së tij dhe ka thënë vetëm se është në kontakt me Kombet e Bashkuara (OKB). “Kjo nuk mjafton”, deklaroi Della Valle duke rikujtuar se BE-ja ka patur vështirësi madje edhe të bëjë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës.

“Do të presim. Ne do të punojmë për ta detyruar BE-në ta bëjë këtë (t’i bëjë thirrje Izraelit t’i japë fund okupimit të tij)”, tha Della Valle.

– Della Valle protestoi kundër Izraelit me një kod QR

Eurodeputeti italian Della Valle, i cili u zgjodh si anëtar i parlamentit në mandatin e ri që filloi në qershor, doli në foltore në fjalimin e tij të parë në PE i veshur me një bluzë me një kod QR të printuar që drejton në një faqe interneti që përmban informacione mbi numrat, emrat dhe moshat e palestinezëve të vrarë në gjenocidin e Izraelit në Gaza.

– Sulmet e Izraelit në Siri

Regjimi Baath në Siri u rrëzua pasi humbi plotësisht kontrollin në Damask dhe shumë rajone të tjera edhe me mbështetjen masive të popullit për grupet që filluan të hyjnë në kryeqytetin Damask më 7 dhjetor. Derisa sundimit 61-vjeçar të Partisë Baath i erdhi fundi, udhëheqësi i regjimit Asad u largua nga Siria dhe ai tani ndodhet në Moskë, Rusi.

Teksa po ndodhnin të gjitha këto zhvillime, Izraeli zgjeroi pushtimin e tij në Lartësitë e Golanit, që është territor sirian.

Ushtria izraelite hyri në zonën tampon në Lartësitë e pushtuara të Golanit në përputhje me udhëzimet e kryeministrit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yisrael Katz.

Izraeli që nga viti 1967 mban nën pushtim Lartësitë e Golanit që i përkasin Sirisë. Kufijtë e zonës tampon dhe zonës së demilitarizuar u përcaktuan me Marrëveshjen e Ndarjes së Forcave të nënshkruar midis Izraelit dhe Sirisë në vitin 1974.