Sot do të zhvillohen ndeshjet e fundit të çerekfinales.
Sot do të përcaktohen edhe dy gjysmëfinalistë në kuadër të ndeshjeve të fundit të çerekfinales së “Euro 2020”, shkruan lajmi.net.
Spanja dhe Italia dje siguruan biletat e tyre në gjysmëfinale dhe tani në ndeshjet e sotme pritet që të përcaktohen edhe dy Kombëtare të tjera.
Çekia – Danimarka, me fillim nga ora 18:00 në Baku të Azerbeigjanit do të takohen në duelin e parë të çerekfinales.
Të dyja Kombëtaret kanë mahnitur me formën e tyre në grupe duke befasuar edhe Kombëtaret e mëdha me futbollin e tyre, në fakt kjo është një përsëritje e çerekfinales së 2004-tës ku çekët eliminuan Danimarkën.
Kjo pritet të jetë një ndeshje tejet dinamike duke dhuruar spektakël.
Ukraina – Anglia, me fillim nga ora 21:00 do të jetë dueli i dytë dhe kryesori i kësaj nate.
Ukraina që eliminoi Suedinë në minutën e fundit të kohës shtesë, ka treguar se po luan futboll të mirë dhe cilësor dhe kapiteni Zinchenko deklaroi se ata nuk do të hyjnë në këtë takim për të ruajtur ndonjë rezultat, por për të luftuar.
Në anën tjetër, tifozët dhe mediat angleze kanë nisur kampanjën “It’s coming home”, ku aludojnë që Kupa do të rikthehet në shtëpi, përkatësisht në Angli. Mirëpo ata kanë përballë një Ukrainë tejet të rrezikshme gjë që e bën këtë duel tejet interesant.