Misioni për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë – EULEX, brenda pak ditëve do të dërgojë në shtëpi rreth 800 punëtorë, të cilët kanë qenë në marrëdhënie të punës me këtë institucion.
Burimet e lajmi.net kanë bërë të ditur se shumicës së këtyre punëtorëve do t’u ndërpritet marrëdhënia e punës duke filluar nga data 1 tetor e këtij viti. Numri i punonjësve kosovarë që do mbesin pa punë është rreth 400.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi.
Ajo ka thënë se në qershor të vitit 2016, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Qeveria e Kosovës janë pajtuar për mandatin e ri të EULEX-in, i cili ka sjellë krijimin e një Plani Operativ të ri për t’i drejtuar aktivitetet e këtij misioni.”Zbatimi i këtij plani ka nënkuptuar shkurtimin e rreth 400 pozitave të personelit ndërkombëtar dhe 400 pozita të personelit vendas për ta krijuar një mision më të vogël dhe më të përqendruar, i cili do të ofron aktivitete të Monitorimit, Mentorimit dhe Këshillimit në nivelin strategjik të institucioneve kosovare për sundimin e ligjit, si dhe mbështetje të vazhdueshme për drejtësinë kushtetuese dhe civile, si dhe për gjykimin e rasteve të caktuara penale”, tha Domi për lajmi.net, duke shtuar se procesi i rikonfigurimit do të përfundojë më 14 nëntor të këtij viti.
Zëdhënësja e EULEX-it ka thënë se ky mandat i ri e pasqyron faktin se autoritetet kosovare janë duke treguar vetëbesim dhe kapacitete në rritje dhe se, si rezultat i kësaj, autoritetet kosovare janë gjithnjë e më shumë në gjendje që t’i marrin përsipër një numër të gjerë të detyrave nga fusha e sundimit të ligjit.
Ndërkaq, misioni i këtij institucioni deri më tani ka qenë që të ndihmojë Kosovën, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies, si dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të sistemit të pavarur shumetnik të drejtësisë dhe policisë dhe shërbimit doganor shumetnik, duke siguruar që këto institucione të jenë të lira prej ndërhyrjeve politike dhe që i përmbahen standardeve të pranuara ndërkombëtare dhe praktikave evropiane më të mira.
Ky Mision, në bashkëpunim të plotë me Programet e Asistencës të Bashkimit Evropian zbaton mandatin e tij përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ndërsa i ruan disa përgjegjësi të caktuara ekzekutive.
prokurorisë dhe ato hetimore në mënyrë që të ndërtohen kapacitetet kosovare në këto fusha.
Në parim të gjitha hetimet penale dhe gjykimet e reja penale do të kryhen nga autoritetet e Kosovës, me panele gjyqësore të përbëra nga gjyqtarë të Kosovës. Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, një rast mund t’i caktohet një prokurori të EULEX-it, ose një panel të përbëhet nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it.