EULEX: Familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën

Në Ditën Kombëtare të Kosovës të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) rikonfirmon përkushtimin dhe obligimin e tij për ta mbështetur përmbushjen e të drejtës së familjeve të 1621 personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre. Për ta bërë këtë, EULEX-i dhe OJQ Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH) janë duke i organizuar një varg sesionesh informuese në mbarë Kosovën me anëtarët e familjeve të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe pas saj.

Këto sesione të ndërmjetësuara nga QBPZH-ja shërbejnë si një platformë për të afërmit e personave të zhdukur dhe ekspertët e EULEX-it që të diskutojnë hapur mandatin e kaluar dhe aktual të Misionit, punën e ekspertëve të ndryshëm të mjekësisë ligjore, sfidat kryesore me të cilat përballen ekspertët e mjekësisë ligjore gjatë kërkimit për personat e zhdukur, si dhe mbështetjen të cilën ua jep EULEX-i homologëve të tij vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për gjetjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre.

“Familjet duhet ta dinë të vërtetën dhe askush nuk ka të drejtë që t’ua mohojë këtë. Kjo është mundësia që familjet të marrin disa përgjigje”, tha Bajram Qerkinaj, Drejtor Ekzekutiv i QBPZH-së, ndërsa Negovan Mavriq, Zëvendësdrejtor i QBPZH-së theksoi: “Çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë. Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt”.

Duke theksuar të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën, Këshilltarja për të Drejtat e Njeriut në EULEX, Valentina Vitali, tha se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të kërkojnë informacion nga institucionet përkatëse për rastet e tyre, duke shtuar se këto institucione e kanë për obligim që të ofrojnë informacion me kusht që kjo të mos komprometojë hetimet.

Zëvendës-Drejtori i IML-së dhe arkeologu mjeko-ligjor i EULEX-it, Javier Santana, foli për sfidat me të cilat ballafaqohen ekspertët e mjekësisë ligjore në procesin e përcaktimit të fatit të personave të zhdukur në Kosovë: (a) faktin që një numër i konsiderueshëm i personave të zhdukur janë varrosur në varre të vogla, klandestine apo edhe në varreza nga autorët për ta vështirësuar kërkimin për personat e zhdukur dhe për t’i fshehur provat e këtyre krimeve, (b) mungesën e informatave të reja dhe të besueshme për vendndodhjen e varreve (c) faktin se jo të gjithë familjarët e personave të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut për analizën e ADN-së, duke ua bërë kështu më të vështirë ekspertëve identifikimin e mbetjeve mortore dhe (d) çështjen e identifikimit të gabuar. Pas luftës, kufomat u identifikuan në mënyrë të shpejtë pa hollësi, për shembull përmes fotografive ose rrobave, duke rezultuar në gabime të cilat sot janë të vështira për t’i gjetur dhe korrigjuar.

Antropologia Forenzike e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se që nga fillimi i mandatit të tij, ekspertët e EULEX-it kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, të cilat kanë rezultuar në identifikimin e 332 personave të zhdukur. “Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t’u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, përfundoi Marinho.

Për ta ndarë dhimbjen dhe errësirën në të cilën janë duke jetuar familjarët e 1621 personave të zhdukur tash e më shumë se 23 vjet, EULEX-i do t’i bashkohet iniciativës së disa OJQ-ve të Kosovës dhe do t’i fikë dritat sonte në selinë qendrore të tij për pesë minuta në orën 20:30.