Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha mund të bëjë një lëvizje të papritur brenda këtij muaji.
“Mundo Deportivo” ka raportuar të hënën se Berisha mund të transferohet te Barcelona pasi po shihet si alternativë për ta zëvendësuar gjermanin Marc-Andre ter Stegen.
Ter Stegen pësoi lëndim të rëndë në ndeshjen e fundit të Barcelonës dhe sipas raportimeve, ai tashmë ka përfunduar sezonin pasi të hënën i është nënshtruar operimit.
Berisha, thuhet se është njëri prej opsioneve që drejtuesit e Barcelonës e kanë marrë parasysh për shkak të përvojës së tij, kryesisht në Itali.
35-vjeçari, aktualisht është lojtar i lirë dhe në pritje të ndonjë oferte për të vazhduar karrierën, ndërsa kontaktet mes palëve pritet të nisin brenda kësaj jave.
Berisha së fundmi ishte pjesë e Empolit, ekip me të cilin i skadoi kontrata në fund të sezonit 2023/24 kurse karrierë ka bërë edhe te Torino, SPAL-i, Atalanta e Lazio.
Në total, Berisha ka 163 paraqitje në elitën e futbollit italian kurse prej vitit 2010 është pjesë e Shqipërisë, ku për “kuqezinjtë” ka zhvilluar 80 ndeshje.