Etikën le ta bëjmë kulturë!

Sipas pikëpamjes së Malik bin Nabiut, kultura është një sistem gjithëpërfshirës i sjelljes në të cilin vlerat morale janë pjesë e ambientit dhe sistem normativ për individin. Kultura jo medoemos duhet të jetë shkencë apo njohuri ose një çështje polemizuese që mund të mësohet në klasë ose shkollë, ajo më tepër është sjellje që fitohet me kalimin e viteve të jetës, në një shoqëri plotë kulturë.

Fjala kulturë ekziston që nga krijimi i Ademit; ajo është ajka e qytetërimeve.
Njeriu kalon nëpër shumë faza të rritjes dhe të zhvillimit, si: foshnjë, fëmijë i vogël, adoleshent, i pjekur, dhe pastaj pleqëria derisa të ndahet nga jeta. Gjatë gjithë kësaj kohe ai e formon dhe ndërton personalitetin e tij dhe fiton kulturë. Pra, koha është një element themelor në ndërtimin e personalitetit dhe të kulturës së njeriut, derisa kultura të bëhet sjellje dhe stil i përhershëm i jetës së përditshme të njeriut.
Kultura përbëhet nga një grumbull karakteristikash personale të lindura dhe të fituara, nga vlera morale, edukative dhe shoqërore të përfaqësuara në gjuhë (mënyrë e të folurit), veshje, mënyrë e të jetuarit, sjellje, natyrë (temperament), edukatë, fe dhe të gjitha njohuritë qofshin ato teorike apo praktike.
Prej lindjes deri në vdekje, çdo pjesë e molekulave tona formohet në mjedisin ku jetojmë, që për rrjedhojë bëhet pjesë e kulturës sonë, sikurse gjaku që formohet në trupat tanë.
Prandaj, çdo shoqëri ka veçantinë e kulturës së vet.
Sikurse gjaku që është i rëndësishme për shëndetin e njeriut dhe rreziku i humbjes së tij është rrezik për ekzistencën e tij, po ashtu është evidente edhe rëndësia e kulturës si një faktor kyç në ndërtimin e qytetërimit dhe ruajtjen e tij.
Më trego kulturën tënde, të të tregoj kush je! Kultura është si gjaku, ose është shpëtimtar ose vrasës.
Morali apo sjellja
Morali vendos rregullat e vlerave që duhet ndjekur, pastaj këto vlera luajnë rolin e udhërrëfyesit gjatë marrjes së çdo vendimi, duke përcaktuar se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, pastaj përcaktojnë format e pranueshme dhe të papranueshme të sjelljes, pra morali është ai që e ndërton sjelljen.
Sjellja
Është metodë ose mënyrë e sjelljes njerëzore, qoftë e drejtë apo e gabuar. Sjellja është pasqyrim i pamjes së jashtme, është imazhi i një personi që perceptohet nga shikimi. Sjellja është reflektim i vlerave, parimeve dhe bindjeve të cilat janë ngulitur thellë në karakterin e një personi të cilat ndihmojnë përzgjedhjen e sjelljeve të mira apo të këqija. Pra, ekziston një raport i drejtpërdrejtë (dhe koherent) midis moralit dhe sjelljes.

👉Moral i mirë ⏩ veti konstante në karakter ⏩ sjellje e mirë me vullnet.

👉Ves i ligë ⏩ veti konstante në karakter ⏩ sjellje e keqe me vullnet.

Prandaj, mund të thuhet se sjellja është ajo që shfaqet nga njerëzit në veprimtarinë e jashtme të tyre, ndërsa morali është vlera e ngulitur thellë në karakterin dhe vetëdijen e njeriut.
Por duhet të kemi kujdes… Një person mund të fsheh të vërtetën e moralit të tij nga të gjithë, dhe të tregojë sjellje të mirë, por ai mbetet i lig në brendësinë e tij, sikurse ishin vëllezërit e Jusufit alejhi selam.
Në njërën anë dëshironin ta hiqnin qafe dhe të kthejnë vëmendjen e babait të tyre nga ta, siç e përshkruan Allahu në Kaptinën Jusuf:
„Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë.”
Në anën tjetër kërkesën për ta marrë Jusufin me vete e bëjnë në mënyrë shumë të sjellshme:
„Ata thanë: „O babai ynë! Përse për Jusufin nuk ke besim te ne?! Në të vërtetë, Ne i dëshirojmë çdo të mirë atij, dërgoje nesër me ne që të argëtohet dhe të luajë. Të sigurojmë se do ta ruajmë.”
Është domosdoshmëri urgjente, të rishikojmë veten në mënyrë që të kuptojmë motivet e fshehura të sjelljeve tona, qofshin ato të bukura apo të shëmtuara, të mëshirshme apo mizore, të pamatura apo të mençura, të organizuara apo anarkike, provokuese, të neveritshme apo joshëse etj.. Kjo duhet të na shtyjë të lexojmë realitetin tonë psikologjik për të njohur pastaj proceset e dhunës, prishjet morale, vrasjet dhe krimet e ndryshme që na rrëqethin çdo ditë…

Një dijetar i Perëndimit udhëtoi në lindje për të kërkuar mençuri nga një asket i izoluar në një rrafshnaltë, i mbështjellë me një copë pëlhure, hante pak dhe mendonte shumë, fliste vetëm për atë që i përket atij, u drejtohej njerëzve sipas mendjes dhe nevojave të tyre.
Hyri si mysafir, me ç’rast njeriu i urtë i ofroi një filxhan dhe filloi t’ia mbushte me çaj, derisa filxhani u tej mbush dhe filloi të rridhte nga anët e tij, mirëpo asketi nuk ndalej, edhe pse çaji vazhdonte të derdhej, deri kur dijetari i habitur i tha: „Zotëri, kupa është plot, nuk pranon më shumë?!“

Urtaku iu përgjigj menjëherë: „Mendja yte është sikur kjo kupë e mbushur me mendimet e mëparshme, si mund të të mësoj diçka kur mendja të është mbushur sikur kjo kupë, dhe nuk pranon më shumë?!“

Kjo është arsyeja që idetë e reja, të gjalla e kanë shumë të vështirë të gjejnë një vend mes ideve të vjetra që janë rrënjosur fort në mendjet e njerëzve, të cilat janë kthyer në gurë dhe çimento të padepërtueshme.
Kjo vlen për zakonet, traditat dhe kuptimet e vjetra të betonuara edhe përballë kuptimit të fesë.
Kupa ishte plot me besëtytni dhe pikëpamje të gabuara që gjithmonë i pengojnë idetë e reja.

Nga Halil Avdulli