Një ditë pas tragjedisë së trefishtë të trenjakëve të mitur në fshatin Romanat të Durrësit, ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se tre të miturit nuk kanë vdekur nga asfiksia, por si pasojë e djegies nga flakët që përfshinë dhomën ku ishin fëmijët.
Hetimet e nisura për këtë ngjarje të paprecedentë ende nuk kanë arritur në një konkluzion përfundimtar mbi shkaqet e zjarrit, por dy pistat kryesore janë loja e fëmijëve me shkrepësen ose energjia elektrike, pasi në dyshemenë e dhomës ku ndodheshin fëmijët ekspertët kanë gjetur edhe një kabull elektrik me spinë.
Edhe pse tymi dhe klithmat e fëmijëve kanë tërhequr vëmendjen e fqinjëve, ata nuk kanë mundur dot t’i shpëtojnë trenjakët, pasi nëna e tyre i kishte kyçyr në një dhomë dhe dritarja ishte me hekura, duke e bërë të pamundur ndihmën nga fqinjët. Pavarësisht motiveve se përse fëmijët ishin lënë vetëm, prokuroria pritet të verifikojë edhe përgjegjësinë e prindërve në këtë ngjarje tragjike, ku përveç shkakut se nga erdhi ngjarja, një pjesë mjaft e rëndësishme e pasojës ishte edhe lënia vetëm e 3 fëmijëve që ishin vetëm 3 vjeç secili.