Vija kufitare me Malin e Zi, ka qenë arsyeja që në shumë raste protestat nuk kanë munguar në vend. Kundërshtimin opozitar që gjeti kjo çështje ka vazhduar për një kohë të gjatë e vazhdon të jetë i njëjtë edhe sot.
Paralajmërimi i kryeministri Isa Mustafa për vënie në Kuvendin e Kosovës të demarkacionit me Malin e Zi u bë menjëherë pas kërkesës së deputetëve për mbajtje të seancës për Mocion për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, e paralajmëruar për ditën e mërkurë.
E gjithë këto çështje do të mund të sillnin edhe kundërshtime në vend, të paraqitura përmes formave protestuese siç ka ndodhur në shumë raste më parë.
Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë duke komentuar gjendjen e sigurisë në vend përgjatë shqyrtimit të këtyre dy çështjeve ka thënë për Indeksonline se demarkacioni dhe Mocioni për Mosbesim të Qeverisë duhet të shihen si çështje të ndara dhe jo ndikuese ndaj njëra-tjetrës.
Sipas tij në veçanti, në aspektin e tensionimit dhe rëndimit të sigurisë në vend, këto dy çështje duhet të trajtohen si të veçuara.
“Sigurisht se ndërlidhja e këtyre nuk është korrekte dhe nuk ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të vendit. Unë mendoj se eskalimi i situatës së sigurisë do të largonte mundësinë e zgjedhjeve. Nëse demarkacioni procedohet të martën dhe disa deputetë opozitarë mund të artestohen, atëherë ngushtohen mundësia për 61 vota pro në seancën e të mërkurës”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij derisa Mocioni për mosbesim nuk mund të shtyhet, kundërshtimi politik duhet të jetë racional dhe të mos ndërlidhet me tensionim të sigurisë./