Të mëdhenjtë e kësaj bote pa u hamendur u rreshtuan krahë Izraelit dhe thanë: Izraeli ka të drejtë të mbrohet.
Por askush nga këta ‘mbrojtës’ të paqes nuk tregoi nëse këtë të drejtë e ka edhe populli palestinezë dhe kush do i mbrojë fëmijët e Gazës nga terrori shtetëror izraelit?
Po pra, bota e ‘civilizuar’ verbërisht i duartroket dhe e mbështetë Izraelin me çka në njëfarë mënyre e ‘legjitimoi’ vrasjen e fëmijëve palestinez.
Ndërkohë Izraeli e shpalli Hamasin më të rrezikshëm se ISIS-i me çka e promovoi luftën e re të botës Perëndimore kundër ‘terroristëve islamik’ dhe spastrimin e vetvetes nga përkrahësit e kësaj organizate!
Dhe vetëm i verbër nga urrejtja nuk e sheh se jetojmë në kohë kur jo vetëm kufiri mes gënjeshtrave dhe të vërtetave, por është shlyer edhe vija ndarëse mes viktimës dhe vrasësit të pamëshirshëm.
Andaj edhe ndodhë që vrasja e civilëve palestinezë dhe ndalesa e ushqimit dhe ilaçeve për banorët e Gazës nga Izraeli të mos jetë krim lufte ashtu siç është, për shembull, në Ukrainë?
Po, kjo planete pa ndalë ujitet me e gjakun e pafajësisë fëmijërore, që nga Jemeni, Afganistani, Siria, Ukraina…, por askund jo si në Palestinë ku Perëndimi i ‘civilizuar’, shtatë dekada me radhë, tregohet i ndjeshëm ndaj dorës së gërvishtur të ushtarit izraelit, por jo edhe ndaj fëmijës palestinez të vrarë po nga ajo dorë.
Nga: Kim Mehmeti