Ballina Autorë Opinione Është duke na mbytur e asgjësuar injoranca!

Është duke na mbytur e asgjësuar injoranca!

Shumica e të rinjve të aftë shqiptarë të Maqedonisë as që kanë nevojë më që vendi i tyre të anëtarësohet në BE ngaqë ata prej moti i kanë braktisur këto hapësira ku është duke na mbytur e asgjësuar injoranca dhe jetojnë nëpër shtetet e Evropës pa kufij.
Nëse vazhdon kjo rrjedhë e braktisjes së trojeve shqiptare, do mund të ndodhë që në Maqedoni të mbeten vetëm ata të rinj që nuk vlejnë gjë pa librezën partiake dhe që besojnë se duhet votuar hajdutin e partisë së tyre ngaqë ai është më i mirë dhe më i dobishëm për shqiptarinë se hajni i partisë kundërshtare.
Apo të mbeten edhe ata të rinj të cilët duke vozitur xhipin e shtrenjtë të blerë me parat e drogës t”i dëgjojnë ‘cecat’, e në xhami hoxhallarët që i ngushëllojnë më thëniet antifetare e idioteske se më i keq se shqiptari hajdut, narkodilerë, narkoman, pijanec, dhunues…, na qenka ai që nuk falë namaz!?
Në Maqedoni rrallohen profesionistët e aftë shqiptarë, siç rrallohen edhe të rinjtë që mbështeten mbi vlerat vetjake, apo edhe hoxhallarët mendimtarë të rangut të një Halil Avdulli, ngaqë ata tani jetojnë nëpër vendet ku janë të vlerësuar, ku qytetarët nuk e ndotin dhe e çmojnë dhe e mbrojnë ‘faltoren’ me të shenjtë që ua ka dhënë Zoti – Natyrën dhe ku, njerëzit janë më të njerëzishëm me njëri tjetrin.

Nga: Kim Mehmeti

Exit mobile version