Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogani bën thirrje për aleancë islamike kundër Iz’raelit

Erdogani bën thirrje për aleancë islamike kundër Iz’raelit

Një ditë pas vrasjes së një shtetase turko-amerikane në Bregun Perëndimor nga forcat izraelit derisa po protestonte atje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërkuar aleancë islamike kundër Izraelit. Erdogani ka thënë se ky do të ishte hapi i vetëm për ta ndalur, siç ka thënë, terrorizmin shtetëror izraelit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të shtunën se vendet islamike duhet të krijojnë një aleancë kundër asaj që ai e ka quajtur “kërcënim në rritje i ekspansionizmit” nga Izraeli.

Komenti i tij erdh një ditë pas njoftimit nga zyrtarë palestinezë dhe turq se ishte vrarë nga trupat izraelite një grua turko-amerikane që mori pjesë në një protestë të premten kundër zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

“Hapi i vetëm që do të ndalojë arrogancën izraelite, banditizmin izraelit dhe terrorizmin shtetëror izraelit është aleanca e vendeve islamike”, ka deklaruar Erdogani në një ngjarje të shoqatës së shkollave islamike pranë Stambollit, shkruan Reuters.

Ai ka shtuar se hapat e fundit që ka ndërmarrë Turqia për të përmirësuar lidhjet me Egjiptin dhe Sirinë kanë për qëllim “formimin e një linje solidariteti kundër kërcënimit në rritje të ekspansionizmit”, i cili, sipas tij, kërcënon edhe Libanin dhe Sirinë.

Erdogani ka pritur presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi në Ankara këtë javë dhe ata diskutuan për luftën e Gazës dhe mënyrat për të riparuar më tej lidhjet e tyre të ngrira prej kohësh. Vizita e al-Sisit ishte e para e tillë presidenciale në 12 vjet. Lidhjet mes tyre filluan të shkrihen në vitin 2020 kur Turqia nisi përpjekjet diplomatike për të lehtësuar tensionet me rivalët e larguar rajonalë, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Erdogani ka deklaruar në korrik se Turqia mund t’i bëjë një ftesë presidentit sirian, Bashar al-Assad “në çdo kohë” për bisedime të mundshme për të rivendosur marrëdhëniet midis dy fqinjëve, të cilët ndërprenë marrëdhëniet në vitin 2011 pas shpërthimit të luftës civile siriane.

Ushtria izraelite ka thënë pas incidentit të së premtes se po shqyrtonte raportet se një grua e huaj “u vra si rezultat i të shtënave në zonë”. Detajet e incidentit dhe rrethanat në të cilat ajo u godit janë duke u shqyrtuar, sipas ushtrisë.

Vrasja e shtetases turko-amerikane ka ndodhur në kohën kur një sërë sulmesh po kryheshin Bregun Perëndimor nga forcat izraelite.

Më shumë se 690 palestinezë janë vrarë, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.

Presidenti turk gjithashtu ka theksuar mbështetjen e tij për Hamasin, duke i cilësuar veprimet e militantëve si një përpjekje më e gjerë rezistence për botën myslimane.

“Ata (Izraeli) tashmë po deklarojnë se nuk do të kënaqen vetëm me pushtimin e Gazës, prandaj ne themi se Hamasi po reziston në emër të të gjithë myslimanëve. Hamasi po mbron jo vetëm Gazën, por edhe tokat e islamit dhe Turqisë”, është shprehur Erdogan.

/Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti – Koha.net

Exit mobile version