Erdoğan zotohet se Turqia do ta vazhdojë mbështetjen për unitetin dhe paqen e Libanit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, riafirmoi sot përkushtimin e vendit të tij për “unitetin dhe paqen” e Libanit, duke u zotuar se do të kundërshtojë çdo përpjekje kundër stabilitetit të tij, raporton Anadolu.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin libanez Najib Mikati në kryeqytetin turk Ankara, Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë përpjekjet për të “mbështetur unitetin dhe paqen e popullit libanez”.

“Ne qëndrojmë me vendosmëri kundër çdo përpjekjeje për të minuar stabilitetin e Libanit”, tha ai.

Erdoğan i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të vazhdojë të bëjë presion ndaj Izraelit që të respektojë plotësisht armëpushimin që nënshkroi me Libanin muajin e kaluar dhe të kompensojë dëmet që i shkaktoi vendit.

“Türkiye qëndroi pas Libanit me të gjitha mjetet që kishte kundër agresionit izraelit dhe vazhdoi ndihmën e saj humanitare”, tha Erdoğan.

Duke nënvizuar se siguria e Libanit është e pandashme nga stabiliteti i rajonit, presidenti turk deklaroi se pa një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Gazën e shkatërruar nga lufta, rajoni nuk mund të arrijë qetësi.

– Një “epokë e re” Siri

Në Siri, e cila kufizohet me Türkiyen dhe Libanin, ka filluar një epokë e re pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, theksoi Erdoğan.

“Si dy fqinjë të rëndësishëm të Sirisë, (me Libanin) jemi dakord që duhet të veprojmë së bashku”, tha ai.

“Türkiye do të qëndrojë pranë popullit sirian në këtë proces, siç ka bërë që nga fillimi i konfliktit, dhe do të japë të gjitha kontributet e nevojshme”, shtoi presidenti turk.

Ai tha se qëllimi i Türkiyes dhe Libanit është ta ngrenë Sirinë në këmbë.

“Besoj se populli sirian, me largpamësinë dhe mprehtësinë e tij, do ta menaxhojë me sukses këtë proces”, nënvizoi Erdoğan.

“Presim që të gjithë ata që e dinë se stabiliteti i Sirisë do të thotë stabilitet i rajonit, të kontribuojnë në këtë proces. Ne e dëshirojmë sinqerisht këtë gjë”, deklaroi ai.

Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.