Erdoğan: Zgjidhja e drejtë në Qipro, vetëm duke pranuar statusin e barabartë të turqve qipriotë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme në Qipro mund të arrihet vetëm duke pranuar statusin e barabartë të turqve qipriotë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një mesazhi, Erdoğan iu drejtua qytetarëve të Republikës Turke të Qipros Veriore me rastin e 46-vjetorit të Operacionit të Paqes në Qipro.

Presidenti turk theksoi se operacioni i 20 korrikut të vitit 1974 paraqet rilindje të një populli “të cilin dëshironin ta fshinin nga historia”.

“Durimi dhe mendjemprehtësia e turqve qipriotë, të cilët për më shumë se 50 vjet luftojnë për barazi, nuk kanë shembull tjetër në botë. […] Sikurse 46 vjet më parë, mëmëdheu, Turqia, edhe sot është dhe do të vazhdojë të jetë siguria e paqes, stabilitetit dhe qetësisë së turqve qipriotë”, tha Erdoğan.

“Zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme në Qipro mund të arrihet vetëm duke pranuar statusin e barabartë të turqve qipriotë”, deklaroi ai.

Ai bëri thirrje që pala greke pa u vonuar tutje t’ua dorëzojë qipriotëve turq barazinë politike dhe të drejtat e barabarta mbi burimet natyrore në ishull.

Erdoğan më tej tha se Turqia dhe Qiproja Turke gjithnjë kanë mbajtur anën e paqes dhe pajtimit dhe kanë shfaqur vullnet për zgjidhje.

“Megjithatë, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se do të sakrifikohen të drejtat e popullit qipriot turk. Sikurse deri më sot, Turqia edhe tani e tutje do të bëjë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave dhe ligjshmërisë së qipriotëve turq”, theksoi presidenti i Turqisë.

Çdo vit, Qiproja Turke feston 20 korrikun si Dita e Paqes dhe Lirisë për të shënuar operacionin ushtarak të gjerë të Turqisë për të mbrojtur qipriotët turq nga dhuna që u përhap në ishull në vitin 1974.

Ishulli është ndarë në dy pjesë, një qeveri turke qipriote në veri dhe administrata greke qipriote në jug, që nga puçi ushtarak i vitit 1974 që synonte aneksimin nga Greqia.

Ndërhyrja ushtarake e Turqisë ndaloi persekutimin dhe dhunën disavjeçare kundër qipriotëve turq nga qipriotët ultra-nacionalistë grekë.