Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përshëndetur urdhërarrestet e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke theksuar se zbatimi i vendimit të gjykatës do të ishte çelësi për rivendosjen e besimit në sistemin ndërkombëtar, raporton Anadolu.
“Ne zbatimin e këtij vendimi të guximshëm nga të gjitha palët në marrëveshje (me gjykatën) e konsiderojmë të rëndësishëm për rivendosjen e besimit të njerëzimit në sistemin ndërkombëtar”, tha presidenti Erdoğan në një fjalim në Panairin e 4-të Ndërkombëtar të organizatave joqeveritare, të mbajtur në metropolin turk Istanbul.
Duke përshëndetur urdhërarrestet, të lëshuara të enjten nga gjykata në Hagë për Netanyahu-n dhe Gallant-in lidhur me veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, Erdoğan theksoi se vendet që mbështesin Tel Avivin po “ushqejnë mizori”, pavarësisht se shpesh u “japin leksione” të tjerëve mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Në një lëvizje historike, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj Netanyahu-t dhe Gallant-it për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Rripin e Gazës.
Sa i përket organizatave dhe mediave ndërkombëtare, tha presidenti Erdoğan, ata po mbyllin “një sy ndaj krimeve kundër njerëzimit” në Palestinë, Liban dhe në shumë rajone të tjera.
“Gjaku i martirëve dhe të të plagosurve në Palestinë njollosë jo vetëm vrasësit e tyre, por edhe ata që nuk arrijnë t’i ndalojë ata”, tha ai.
Siç theksoi presidenti turk, aktorët e privilegjuar të sistemit ndërkombëtar për interesat e tyre tërheqin rajone të ndryshme në një “vorbull të paqëndrueshmërisë”, veçanërisht zonën gjeografike islame.
“Shtetet që mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut po nxisin dhunën duke mbështetur Izraelin në vend që të përpiqen të ndalojnë masakrat dhe gjenocidin”, tha ai.
Më tej, Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për ta sjellë Al-Kudsin nën ombrellën e sigurisë ndërkombëtare sipas statusit të tij.
“Si botë islame, ne duhet t’i lëmë mënjanë dallimet tona dhe të mbajnë një qëndrim të përbashkët dhe të veprojmë si një”, theksoi Erdoğan.
Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 44 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104 mijë të tjerë.
Tel Avivi është përfshirë gjithashtu në luftë ndërkufitare me Libanin, duke nisur një fushatë ajrore në fund të shtatorit kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut. Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, mbi 3.600 njerëz janë vrarë gjithashtu atje, me më shumë se 15.300 të plagosur dhe mbi 1 milion të zhvendosur që nga tetori i kaluar.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër Gazës.