Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan i cili ndodhet për vizitë në Iran tha se referendumi i Administratës rajonale kurde në veri të Irakut nuk është legjitim sepse është vendim që është marrë në tryezë me MOSSAD-in, raporton Anadolu Agency (AA).
Lidhur me situatën në Administratën rajonale kurde të Irakut, Erdoğan tha: “Çfarë referendumi ka organizuar Administrata rajonale kurde e Irakut? Përveç Izraelit nuk ka asnjë vend tjetër në botë që e ka njohur. Nuk mund të jetë legjitim, është joligjor vendimi i marrë duke u ulur në tryezë me MOSSAD-in”.
“Sigurisht që në rendin e ditës ndodhen problemet rajonale. Si pikë e parë në axhendë ka qenë problemi në Irak për të cilin jemi duke punuar kryesisht në mënyrën e menaxhimit trepalësh”, tha Presidenti Erdoğan i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Iran ku mbajti konferencë të përbashkët për media në Tehran me presidentinin e Iranit, Hasan Ruhani.
“Nëse njëri vepron në një anë dhe tjetri në anën tjetër, mendoj se një hap i tillë do ta lë në vetmi Administratën rajonale kurde të Irakut. Irani dhe Turqia e kanë përcaktuar vendosmërinë e tyre në këtë çështje. Bashkëbiseduesi ynë në Irak është qeveria qendrore dhe ne absolutisht e konsiderojmë të paligjshëm këtë referendum”, tha Erdoğan në lidhje me çështjen e referendumit të mbajtur në Administratën rajonale kurde të Irakut.
“I kushtojmë rëndësi të madhe rajonit jokonfliktual”
Në lidhje me situatën në Siri, Erdoğan tha se “Në Siri ka një mekanizëm trepalësh. Atje si Iran, Rusi, Turqi menaxhojmë një proces të zhvilluar në kuadër të procesit të Astanas. Në këtë kontekst ne i kushtojmë shumë rëndësi rajonit jokonfliktual”.
Ai më tej tha se “për të shpëtuar marrëdhëniet tona ekonomike nga presioni i kursit aktual i këmbimit ne kemi vendosur të kalojmë në zbatim procesin e shit-blerjes me para vendase”.
“Bankat tona qendrore për këtë çështje do të nënshkruajnë një marrëveshje në një takim javën e ardhshëm. Bashkë me këtë do të vihet në lëvizshmëri edhe pasurimi i degëve bankare, ku për shembull bankat tona do të mund të hapin degët e tyre në Iran dhe gjithashtu ato iraniane mund të hapen në Turqi”, tha Erdoğan.