Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë të ditur se disa refugjatë sirianë dhe irakianë do të kalojnë në një proces të shqyrtimit, dhe do t’u jepet shtetësia turke.
Në një fjalim të transmetuar në televizion të premten, Erdogan tha se kontrollet e sigurisë do të kryhen për të përcaktuar se kush në mesin e miliona refugjatëve të cilët u larguan nga lufta në vendet e tyre ishin të përshtatshëm për shtetësi.
“Ministria jonë e brendshme është duke kryer punë, dhe në bazë të kësaj pune, disa prej refugjatëve do t’u jepet shtetësia jonë pasi të kryhen të gjitha kontrollet e nevojshme” tha ai.
“Ka njerëz të kualifikuar në mesin e tyre, ka inxhinierë, avokatë, mjekë. Le të shfrytëzojmë këto talente… Në vend që t’i lëmë anash, e të punojnë në mënyrë të paligjshme sa këtu sa atje, le t’u japim atyre mundësinë për të punuar si qytetarë, si bijtë e këtij kombi.” Erdogan shtoi se ministria e brendshme është e gatshme për zbatimin e masës në çdo kohë, por ai nuk dha detaje të tjera, sidomos për numrin e atyre që do të fitojnë shtetësi turke.
Sipas shifrave të qeverisë turke, vendi po mirëpret më shumë se tre milionë sirianë dhe irakenë të cilët janë larguar nga konfliktet.
Udhëheqësi turk paraqiti një plan natyralizimi verën e kaluar, por ideja u prit me protesta dhe komentet ksenofobe në mediat sociale.
Opozita politike e vendit e pa planin e tij përvec tjerash si “një skemë për të zgjeruar bazën zgjedhore të Erdogan” në një kohë kur ai është duke synuar reforma kushtetuese. /MESAZHI/