Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendit të tij i ka përfunduar durimi pas sulmit të fundit vdekjeprurës ndaj forcave policore turke në veri të Sirisë dhe ngacmimeve që shënjestrojnë territoret e vendit të tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e presidentit Erdoğan erdhën dje në një konferencë për media pas takimit të Kabinetit në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin Ankara.
Dy policë të operacioneve speciale turke u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në zonën e Operacionit “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë, kur YPG, dega siriane e grupit terrorist PKK, goditi një automjet të armatosur me raketa.
Erdoğan tha se Ankaraja është e vendosur të eliminojë kërcënimet që dalin nga Siria veriore, qoftë e vetme ose me mbështetjen e forcave aktive lokale.
Që nga viti 2016, Turqia ka nisur disa operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit me Sirinë, me qëllim parandalimin e formimit të një korridori terrorist dhe me synimin për të siguruar një mjedis të sigurt për kthimin e personave të zhvendosur. Këto janë operacionet “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).
Në fushatën terroriste kundër Turqisë, e cila ka zgjatur për më shumë se 35 vjet, organizata terroriste PKK, e cila është në listën e organizatave terroriste në Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së. /aa