Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij vitin e ardhshëm do të fillojë prodhimin e lokomotivave elektrike vendore të zhvilluara nga burimet e brendshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan e njoftoi këtë në një fjalim para pjesëmarrësve në Këshillin e 12-të të Transportit dhe Komunikimeve, i cili po mbahet në kompleksin e aeroportit Ataturk të Stambollit. Ky është një tubim shumëditor që kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e vizioneve në këtë sektor.
Duke theksuar se pothuajse të gjitha qëllimet e vendosura nga Turqia 12 vjet më parë në Këshillin e 10-të të Transportit dhe Komunikimeve tashmë janë arritur, Erdoğan tha se projektet e zbatuara tregojnë një pamje të suksesit, por gjithashtu tregojnë nevojën për zhvillim dhe përparim të vazhdueshëm kundër sfidave të reja.
“Kjo veçanërisht ka të bëjë me sfidat e paraqitura nga pandemia globale dhe ndryshimet klimatike. Situata e re ka shkaktuar ndryshime në të gjithë sektorët”, tha Erdoğan.
Ai paralajmëroi se bota mund të përballet me kaos nëse shteti dhe shoqëria në tërësi nuk i kuptojnë realitetet në mënyrën e duhur.
Erdoğan tha më tej se rajoni turk nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij gjeopolitike dhe se Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj në dobi të njerëzimit.
“Si një vend i vendosur në një zonë me ndryshime të mëdha historike, Turqia ka përgjegjësinë të jetë udhëheqëse në proceset në të ardhmen”, tha Erdoğan.
Duke vënë në dukje se Aeroporti Ataturk është një nga qendrat e transportit ajror ndërkombëtar, Erdoğan tha se aktualisht në këtë kompleks organizohen tubime kombëtare dhe ndërkombëtare të nivelit më të lartë, përfshirë TEKNOFEST.
“Ne kemi rritur numrin e aeroporteve në Turqi nga 26 në 56 dhe pas përfundimit të ndërtimit të atyre aktuale, së shpejti do ta rrisim në 61”, tha Erdoğan, duke shtuar se Aeroporti i ri i Stambollit është ndër aeroportet më të mirë dhe më të frekuentuar në Evropë dhe botë.
Ai tha se në 19 vitet e fundi, Turqia ka arritur të rindërtojë një rrjet të plotë hekurudhor prej 12.803 kilometrash që ishte në gjendje të keqe.
“Duke investuar në rrugët tokësore, ne kemi rritur transportin në Turqi me 170 për qind dhe kemi zvogëluar aksidentet me 80 për qind,” tha Erdoğan.
Ai shtoi se Turqia duhet të përdorë me vendosmëri të gjitha mundësitë për rritjen dhe zhvillimin e prodhimit dhe logjistikës, bazuar në përdorimin efikas të infrastrukturës ekzistuese dhe investimet e reja në të.
“Qëllimi ynë në teknologjitë e informacionit është të bëhemi një vend që zhvillon, drejton dhe prodhon këto teknologji dhe jo të jemi vetëm një vend që i përdor dhe i monitoron ato”, përfundoi Erdoğan. /aa