Si aleatë të NATO-s, shpresoj që ne ta trajtojmë njëri-tjetrin në mënyrë miqësore dhe jo me armiqësi, por gjendja aktuale e ngjarjeve nuk duket se po shkon në atë mënyrë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke iu referuar marrëdhënieve të Turqisë me SHBA-në, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për shtypin para kthimit nga New York-u, ku ai shkoi për të marrë pjesë në sesionin e 76 -të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Erdoğan tha se kishte punuar mirë me ish-presidentët e SHBA-së George W. Bush, Barack Obama dhe Donald Trump, duke shtuar se megjithatë, marrëdhëniet nuk filluan mirë me presidentin aktual Joe Biden.
Erdoğan tha se qëndrimi i Turqisë ndaj programit të avionëve luftarakë F-35 është i sinqertë, por SHBA-ja nuk është e sinqertë. Mosdhënia e avionëve F-35 Turqisë duke përdorur sistemet ajrore S-400 si pretekst, nuk përputhet me normat diplomatike dhe marrëdhëniet ndërshtetërore, shtoi ai.
Në vitin 2019, Washington-i njoftoi se po e tërhiqte Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 për shkak të blerjes së Ankarasë të sistemit të mbrojtjes raketore ruse S-400.
SHBA-ja pohonte se sistemi S-400 rus do të komprometonte sigurinë e avionëve F-35, por Turqia ka thënë se këto frika janë të pabaza dhe ka propozuar vazhdimisht krijimin e një komisioni për të sqaruar çështjen.
“Ashtu si administrata Trump, edhe Biden ka filluar t’u japë armë, municion dhe pajisje organizatave terroriste. Ne nuk do të jemi thjesht një spektator i kësaj”, tha më tej presidenti turk.
“Kur shikoni armët që aktualisht gjenden në duart e talibanëve, këto armë i përkasin SHBA-së. Prandaj, ata do të duhet të paguajnë çmimin”, shtoi ai.
Duke iu referuar qeverisë së përkohshme talibane në Afganistan, Erdoğan tha se për fat të keq, një qeveri gjithëpërfshirëse nuk është formuar.
Në lidhje me ndryshimet klimatike, presidenti Erdoğan tha se Turqia do të ndajë pikëpamjet e saj në konferencën e ardhshme COP26 në Glasgow të Skocisë. /aa