Erdoğan: Turqia sot udhëheq një luftë të re për pavarësi

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot në Stamboll porositi se 90 vjet pas themelimit të Republikës së Turqisë, vendi i tij përsëri udhëheqë luftë për pavarësi, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e hapjes së impiantit të avancuar biologjik për pastrimin e ujërave të zeza në Stamboll, dhe me këtë rast komentoi zhvillimet e fundit në vendin e tij.

“Turqia në tre vitet e fundit është duke kaluar nëpër një rreth të zjarrit. Ne duhet t’ia japim emrin e vërtetë kësaj lufte. Ne jemi duke bërë një luftë të re për pavarësinë, 90 vjet pas themelimit të Republikës. Situata në të cilën ndodhemi aktualisht është në kuptimin e sakt të fjalës, një lufte të re për pavarësi. Përveç kësaj, kjo luftë nuk është vetëm në një front, ajo zhvillohet në nivelin ushtarak, politik, diplomatik, ekonomik dhe social”, ka thënë Erdoğan.

Duke folur për luftën kundër organizatës terroriste FETO, e cila është përgjegjëse për tentimin e grusht shtetit më 15 korrik, në këtë vend, Erdoğan tha se anëtarët e FETO-s do të paguajnë për të gjitha dëmet që ia kanë shkaktuar Turqisë.

“Gjithçka që kërkon ligji do të zbatohet dhe ata do të paguajnë çmimin. Ata do të paguajnë çmimin e 238 të vrarëve dhe 2.193 të plagosurve në përpjekjen për grusht shteti. Ata do të paguajnë gjithashtu edhe çmimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me provimin pranues në shërbimin publik”, ka thënë presidenti Erdoğan.

Ai tha se tentimi i 15 korrikut është sulmi më i egër ndaj Turqisë, në një seri sulmesh në këtë vend, në tre vitet e fundit.

“15 korriku nuk është tentim i grusht shtetit të dinamikës së brendshme të Turqisë, por tentim i grusht shtetit të bandave që punojnë me urdhër të forcave të jashtme. Ne prandaj themi për grusht shtetin se kjo ishte një përpjekje e pushtimit”, tha Erdoğan.

Ai po ashtu komentoi edhe rreth kritikave për gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi, duke shtuar se vendi i tij pas përpjekjes për grusht shteti dhe një numër sulmesh të përgjakshme terroriste për herë të dytë ndodhet në gjendjen e jashtëzakonshme tre-mujore.

“Nuk do të përfundoj me kaq. Kjo mund të zgjasë edhe për tre muaj tjerë, ndoshta edhe tre të tjerë pas kësaj. Ky nuk duhet të jetë preokupimi juaj. Për këtë do të vendosë qeveria, parlamenti. Vallë ky vend udhëhiqet nga qeveria e tij apo nga Parlamenti Evropian? Duhet ta dini se ku është kufiri, sepse ato kohëra që moti kanë kaluar”, tha Erdoğan.

Në lidhje me miratimin e projekt-vendimit nga Parlamenti Evropian (PE) në lidhje me Turqinë, Erdoğan dënoi mesazhin për Turqinë “për të mos luftuar kundër terrorizmit”, duke thënë se vendi i tij pothuajse çdo ditë është dëshmitar i sulmeve terroriste.

“Të mos luftojmë terrorizmin, do të thotë t’i dorëzohemi atij”, tha presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.