Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) deklaroi se kanë arritur t’i rrisin eksportet e Turqisë në 243 miliardë dollarë dhe se këtë normë do ta rrisin edhe më shumë çdo muaj.
Presidenti Erdoan mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 29-të të Zakonshme të Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM) dhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Kampionëve të Eksportit, organizuar të hënën në “Qendrën e Kongreseve Haliç” të Stambollit.
“Përgëzoj sinqerisht kompanitë dhe biznesmenët tanë që do të marrin çmimin e kampionëve të eksportit. Ne arritëm t’i rrisim eksportet tona në 243 miliardë dollarë” tha udhëheqësi turk dhe shtoi:
“Shpresojmë se këtë normë do ta rrisim çdo muaj. Me eksportet në 217 vende dhe rajone të botës, ne jemi bërë një vend që e valëvit flamurin kudo.”
Duke theksuar se gati gjysma e rritjes së Turqisë në tremujorin e parë të 2022 erdhi nga eksportet, Erdoan bëri këtë vlerësim:
“Kjo dëshmon se ne po ecim me hapa të vendosur drejt synimit për ta rritur vendin tonë me investime, punësim, prodhim, eksport dhe suficit në llogarinë rrjedhëse”.
Lideri turk nënvizoi se do të jenë në anën e atyre që duan ta rrisin prodhimin e tyre përmes metodave si: rritja e kapaciteteve dhe investimeve të reja.
Duke iu referuar edhe luftës së suksesshme kundër terrorizmit, Presidenti tha:
“Organizatës terroriste separatiste PKK i kemi dhënë goditjet më të rënda. Kemi bërë të dështojnë përpjekjet për të rrethuar vendin tonë. Ne thamë se jemi gati të shkojmë edhe atje përtej kufijve tanë, cilido qoftë ai që na shqetëson. Ne vazhdojmë të hyjmë në strofullat e terroristëve me operacionet ‘Kthetra-Kyçi’, që janë duke vazhduar aktualisht në Irak”,- tha Erdoan. /trt
Kim ne derse desin, hangi çirkefliği yaparsa yapsın; Türkiye, terörün her türlüsüyle mücadelesini eninde sonunda zafere ulaştıracaktır. pic.twitter.com/KAnlspYocm
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) June 13, 2022