Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij përballet me një nga fatkeqësitë më të mëdha të historisë së saj, duke iu referuar tërmeteve vdekjeprurëse që goditën pjesën jugore të vendit më 6 shkurt, raporton Anadolu.
“Si komb, ne po përballemi me një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë tonë”, tha Erdoğan teksa inspektonte përpjekjet e kërkim-shpëtimit në provincën Adiyaman, ku takoi viktimat e tërmetit.
Ai shtoi se shkatërrime “serioze” ndodhën në gjithsej 10 provinca.
Presidenti Erdoğan tha se të paktën 19.388 njerëz humbën jetën dhe 77.711 të tjerë u lënduan në dy tërmetet me qendër në provincën Kahramanmaraş.
Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.
Erdoğan është zotuar të rindërtojë rajonin jugor të goditur nga tërmeti, si pjesë e një plani njëvjeçar.
“Ne do t’u sigurojmë qytetarët tanë që nuk dëshirojnë të qëndrojnë në tenda të mund të zhvendosen në banesa dhe do t’ua paguajmë qiranë për një vit”, tha ai.
Gjithashtu, presidenti u bëri thirrje qytetarëve që të mos u japin rëndësi atyre që abuzojnë me unitetin dhe solidaritetin në këtë kohë.
Më vonë, duke u takuar me viktimat e tërmetit në Malatya, Erdoğan tha se më shumë se 141 mijë personel po punojnë në 10 provinca, së bashku me ekipe nga jashtë.
Ai falënderoi të gjithë ata që punojnë pa diskriminim dhe theksoi se shteti qëndron pranë qytetarëve me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.
Duke u bërë thirrje qytetarëve të mos u kushtojnë vëmendje abuzuesve, Erdoğan tha: “Nuk është koha për abuzime. Sot është një ditë uniteti dhe solidariteti për të bashkuar duart me qytetarët tanë dhe për të qenë një zemër”.
Ai gjithashtu paralajmëroi njerëzit që të mos u kushtojnë rëndësi provokuesve që tentojnë t’i nxisin me lajme të rreme, veçanërisht përmes platformave të mediave sociale.
Malatya | Deprem Bölgesi Basın Açıklamasıhttps://t.co/DMWiNQDZPF
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) February 10, 2023