Turqi: Presidenti i vendit dhe njëherësh kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) foli të mërkurën në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë së tij.
Presidenti Erdoan nënvizoi se vitin e kaluar, kur me përjashtim të disa rasteve pothuajse të gjitha ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim u tkurrën, Turqia e mbylli me rritje dhe dha shenjat e para në këtë drejtim.
Pasi tha se ekonomia e vendit ka treguar një performancë mjaftë të fuqishme rritjeje në dy tremujorët e parë të këtij viti, Erdoan e vijoi kështu fjalimin e tij:
“Ne po i përdorim në maksimum kapacitetet prodhuese. Eksportet tona po thyejnë rekorde të njëpasnjëshme. Në punësim kemi arritur në një pikë që është mbi atë të periudhës para pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (Kovid-19).”
Erdoan theksoi se në këtë proces është kuptuar shumë më mirë rëndësia e institucioneve arsimore, spitaleve, rrugëve, tuneleve, digave, objekteve e kanaleve vaditëse dhe zonave (të organizuara) industriale që kanë ndërtuar në 19 vitet e fundit.
Duke shprehur se ata kanë e formësuar buxhetin e vitit të ardhshëm në mënyrë që objektivet e zhvillimit të jenë akoma edhe më të larta, pavarësisht ndikimit të krizës globale, udhëheqësi turk u shpreh kështu:
“Ashtu siç po e kapërcejmë epideminë e koronavirusit me infrastrukturën tonë të fortë shëndetësore, ne shpresojmë të kapërcejmë edhe problemet e shkaktuara nga ndryshimi i klimës me anë të Revolucionit të Zhvillimit të Gjelbër.”
Erdoani tha gjithashtu se qëllimi i rezolutës për Sirinë dhe Irakun, e cila u pranua dje [e martë, 26.10.2021] në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, është të mos lejohet të krijohet korridori terrorist përgjatë kufijve të Turqisë dhe të thahen që në burim sulmet terroriste kundër Turqisë. /trt