Erdoğan: Turqia mund t’ia hapë kufijtë Armenisë nëse bën hapa për paqe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij mund të hapë kufijtë për Armeninë, nëse Jerevani bën hapa drejt paqes rajonale, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev në Baku, Erdoğan tha se ata nuk kanë asnjë problem me popullin armen, por me qeverinë e vendit.

“Ne nuk kemi urrejtje nda popullit të Armenisë. Problemi është me administratën armene. Në vendin tim ka mbi 100.000 qytetarë armenë”, tha presidenti turk.

Ai vlerësoi rolin e Rusisë në përfundimin e përplasjeve disajavore midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Erdoğan po ashtu foli mbi rezolutën e Asamblesë Kombëtare franceze që njohu Malësinë e Karabakut si një republikë të ndarë.

“Madje edhe (kryeministri armen Nikoll) Pashinyan nuk e pranon atë”, tha ai, duke shtuar se presidenti francez Emmanuel Macron “nuk e ka mësuar ende politikën”.

Ai theksoi se qeveria azerbajxhanase do të krijojë një epokë përparimi në Karabak brenda tre deri në pesë vjet.

Nga ana e tij, Aliyev falënderoi Turqinë për mbështetjen gjatë përplasjeve me Armeninë.

Ai tha se dronët e Turqisë “Bayraktar” luajtën “rol përcaktues” në fitoren e Azerbajxhanit në Karabak.

“Turqia e presidentit Erdoğan jep shembullin e guximit, pavarësisë dhe zhvillimit për botën”, tha Aliyev.

Duke i ofruar paqe Armenisë, ai tha se janë gati të fillojnë bashkëpunim të ri me Jerevanin për hir të paqes së qëndrueshme në rajon.

Presidenti Erdoğan qëndron për një vizitë dyditore në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij azerbajxhanas. Më herët, ai së bashku me presidentin azerbajxhanas morën pjesë në ceremoninë “Parada e Fitores”, ku dhe mbajtën fjalim para të pranishmëve.

“Parada e Fitores” u organizua për të shënuar përmbushjen e suksesshme ushtarake të fundit të Azerbajxhanit në çlirimin e rajonit të Malësisë së Karabakut, rajon i cili ishte nën pushtimin armen për pothuajse 30 vite.

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi nga pushtimi armen disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.

Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për t’u angazhuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi u konsiderua si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.