Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të japë çdo lloj mbështetjeje për rimëkëmbjen e Afganistanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan bisedoi me gazetarët në avion pas vizitës së tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi.
Ai rikujtoi se ka përfunduar takimet në kuadër të vizitave në Bosnjë dhe Mal të Zi ku gjatë vizitës që realizoi fillimisht në Sarajevë zhvilloi takime me anëtarët e Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës. Erdoğan tha se në takimet e tij në BeH kanë biseduar për hapat që mund të ndërmerren për të përparuar më tej bashkëpunimin dypalësh, rajonal, për çështjet globale si dhe për bashkëpunimin në çdo fushë.
Erdoğan uroi që takimet dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve të zhvilluara me kreun e Këshillit Presidencial të BeH-së, Zheljko Komshiç dhe anëtarët e Presidencës, Shefik Xhaferoviç dhe Millorad Dodik të jenë të dobishme në aspektin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, Erdoğan theksoi se gjatë vizitës në Mal të Zi zhvilloi një takim të sinqertë dhe të frytshëm si me presidentin Milo Gjukanoviç si dhe me kryeministrin Zdravko Krivokapiç ku në të njëjtën kohë kanë realizuar bisedime dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve dhe me kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiq.
Lidhur me vizitën në BeH dhe Mal të Zi, Erdoğan tha: “Programet që zhvilluam këtu përbëjnë hallkën e fundit të politikës që zhvillojmë për forcimin e marrëdhënieve tona shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse në rajonin e Ballkanit. Me Këshillin Presidencial të Bosnjës këtë vit u takuam për herë të tretë. Këtyre kontakteve të afërta u kushtoj një kujdes kryesisht në aspektin e vazhdimësisë dhe të ndjekjes. Interesi ynë për Ballkanin do të vazhdojë edhe pas kësaj. Paqja dhe stabiliteti i BeH-së ka rëndësi jetësore në aspektin e paqes dhe stabilitetit të Ballkanit”.
“Për këtë arsye ndjekim nga afër zhvillimet këtu dhe ndihmojmë Bosnjë e Hercegovinën edhe në çështjet politike, ekonomike, kulturore, ushtarake, rajonale dhe të tjera. Urojmë që Bosnja të zgjidhë problemet e saj të brendshme politike në kuadër të integritetit territorial dhe unitetit politik”, tha presidenti turk.
Pas vlerësimeve lidhur me vizitat, Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve ku ai deklaroi se: “Republika e Turqisë ka një arritje të caktuar, një infrastrukturë të caktuar. Ne dëshirojmë të ndihmojmë me këtë arritje dhe infrastrukturë. Por, dyert duhet të jenë të hapura në mënyrë që të mund të ofrojmë ndihmë. Për këtë arsye inteligjenca jonë po zhvillon bisedime me bashkëbiseduesit talebanë. Përveç kësaj ka bisedime duke u bashkuar me disa vende në jug. Përtej këtyre të gjithave tani Abdullah Abdullah dhe Hamid Karzai po zhvillojnë takime”.
“Edhe sinjalet e dhëna prej tyre janë shumë të rëndësishme për ne. Ajo që na shqetëson neve si Turqi është që Afganistani të rimëkëmbet sa më shpejtë. Tashmë populli afgan nuk mund të mbajë një barrë të tillë. Atje ka një popullsi prej rreth 40 milionë njerëz. Ne jemi të gatshëm të japin çdo lloj mbështetjeje për unitetin, bashkimin e Afganistanit. Mjafton që të shohim edhe nga ana e Afganistanit qëndrimin në atë kuptim”, potencoi Erdoğan.
Ndërsa në pyetjen lidhur me punimet e ambasadës, Erdoğan tha: “Ambasada prej dy javësh i ka kryer punimet përkohësisht në aeroportin e Kabulit. Ditë më parë u rikthyen sërish në ndërtesën e ambasadës në qendër të qytetit dhe aktivitetet e tyre i vazhdojnë nga këtu. Plani ynë aktual është në drejtimin për vazhdimin e pranisë tonë diplomatike. Planet tona i përditësojmë vazhdimisht sipas zhvillimeve lidhur me situatën e sigurisë. I mbajmë të gatshme planet tona alternative të nevojshme kundrejt të gjitha mundësive. Siguria e personelit tonë është prioriteti ynë”. /aa