Erdoğan: Turqia do t’i vazhdojë përpjekjet për “paqe të drejtë” midis Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Ankaraja do të vazhdojë përpjekjet e saj për “paqe të drejtë” mes Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu.

“Ndërsa ne vazhdojmë solidaritetin tonë me Ukrainën, do të vazhdojmë të përpiqemi për t’i dhënë fund luftës me paqe të drejtë bazuar në negociata”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun ukrainas Volodymr Zelenskyy në Istanbul.

“Turqia është gati të presë një samit paqeje në të cilin do të jetë e pranishme edhe Rusia”, shtoi ai.

Ai tha se Turqia do të mbështesë “fuqishëm” rindërtimin e Ukrainës.

Erdoğan deklaroi se Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi mundësoi gati 33 milionë tonë drithë për të arritur te nevojtarët, duke parandaluar një krizë globale ushqimore.

“Ne jemi të kënaqur që tregtia jonë dypalëshe mbetet e qëndrueshme pavarësisht luftës”, tha ai.

“Hyrja në fuqi e marrëveshjes së tregtisë së lirë (me Ukrainën) sa më shpejt që të jetë e mundur, padyshim do t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve tona”, shtoi presidenti turk.

– Zelenskyy: Falë përpjekjeve të Turqisë, kemi arritur ‘rezultate serioze humanitare’

Ndërkaq, presidenti ukrainas Zelenskyy tha se ata kanë arritur “rezultate serioze humanitare” falë përpjekjeve të Turqisë.

Ai e falënderoi presidentin Erdoğan dhe popullin turk për mbështetjen e tyre për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Zelenskyy mbërriti për një vizitë zyrtare në Turqi më herët gjatë ditës, së bashku me një delegacion që përfshinte edhe ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Rustem Umerov.