Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se Turqia dhe SHBA ranë dakord të përdorin në mënyrë efektive dhe të rregullt kanale të drejtpërdrejta të dialogut , duke iu përshtatur dy aleatëve dhe partnerëve strategjikë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media pas samitit të NATO-s në Bruksel, presidenti Erdoğan tha se “nuk ka asnjë çështje që nuk mund të zgjidhet në marrëdhëniet Turqi-SHBA”, duke shtuar se “zonat e bashkëpunimit janë më të gjera dhe më të pasura sesa zonat problematike”.
Erdoğan dhe Biden zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në margjinat e samitit të NATO-s në Bruksel. Dy udhëheqësit u takuan për herë të parë që kur Biden mori detyrën në muajin janar.
Pas takimit, presidenti amerikan tha se ai pati “një takim të mirë” me homologun e tij turk.
Ndërsa, presidenti turk theksoi se takimi i tij me homologun amerikan është pozitiv për vazhdimin e marrëdhënieve. Ai tha se e ftoi Biden-in të vizitojë Turqinë, duke shtuar se Biden ndoshta do të vizitojë vendin së shpejti.
Erdoğan po ashtu tha se Turqia në samitin e NATO-s shprehu qartë se mbështetja e dhënë për grupin terrorist PYD/PKK duhet të përfundojë.
Duke u përgjigjur një pyetje në lidhje me sistemin rus S-400, presidenti Erdoğan tha se, “Ne i shprehëm të njëjtat mendime presidentit (Biden) për (sistemin) S-400, ashtu siç e kishim më parë. Po ashtu shprehëm të njëjtat mendime për (avionët luftarakë) F-35”.
Lidhur me Afganistanin, presidenti turk tha se mbështetja e SHBA-së në çështjet diplomatike, logjistike dhe financiare është thelbësore nëse trupave turke në Afganistan u kërkohet të mos largohen nga vendi.
Lidhur me marrëdhëniet e aleancës, Erdoğan shprehu shpresë se të gjithë aleatët e NATO-s do të tregojnë solidaritet të plotë me Turqinë duke lënë mënjanë “llogaritjet e cekëta politike”.
“NATO duhet të zë një rol aktiv atje ku çadra e sigurisë e aleancës është e nevojshme nga Mesdheu në Detin e Zi, nga Evropa në Azi”, theksoi presidenti Erdoğan. /aa