Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i në tremujorin e parë të vitit 2023 do të fillojë të transferojë 10 milionë metra kub (mcm) gaz natyror në ditë nga fusha e gazit ‘Sakarya’ në Detin e Zi në sistemin kombëtar të transmetimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Prodhimi në fushën e gazit ‘Sakarya’, tha presidenti Erdoğan në ceremoninë e vendosjes së tubacionit të parë në det të hapur për të transportuar gaz natyror në Detin e Zi, “shpresojmë të arrijë kulmin e tij në vitin 2026”.
Transmetimi i parë i gazit është planifikuar të dorëzohet përmes një tubacioni nënujor 150 kilometra të gjatë, që Türkiye do të ndërtojë për ta drejtuar nga fusha në tokë ku do të lidhet me rrjetin kombëtar të gazit.
Siç tha presidenti Erdoğan, Türkiye e sheh energjinë si “çelës të bashkëpunimit rajonal dhe jo një zonë tensioni dhe konflikti”.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë në një mënyrë të shumë-anshme derisa ta bëjmë Türkiye-n një vend që ka zgjidhur plotësisht problemin e sigurisë së furnizimit me energji”, tha Erdoğan.
Ai po ashtu njoftoi se anija e katërt e shpimit e Türkiye-s është quajtur ‘Abdulhamid Han’, një nga sulltanët e Perandorisë Osmane.
“Gjithashtu është me rëndësi që ne të bëjmë një zbulim të tillë historik me burime krejtësisht të brendshme”, shtoi ai.
Türkiye aktualisht ka tre anije të shpimit, Fatih, Kanuni dhe Yavuz, që operojnë në Detin e Zi dhe Detin Mesdhe.
Deri më sot, nga punimet e shpimit vendi ka nxjerrë 540 miliardë metra kub nga Deti i Zi. /aa