Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sovraniteti i Bosnje dhe Hercegovinës është kyç për paqen dhe stabilitetin.
Ai këto komente i bëri pas takimit në Sarajevë me anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, Shefik Xhaferoviq dhe Millorad Dodik.
“Bosnje dhe Hercegovina ka një vend të veçantë në zemrat e njerëzve tanë. Ne u fokusuam në punët që mund të bëjmë në periudhën e ardhshme. Gjithashtu folëm për marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet në rajon dhe ato globale. Ne përditësuam Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, e cila hyri fuqi më 1 gusht. Ne duam të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në të gjitha drejtimet”, tha Erdogan.
Ndërsa anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq, tha se gjatë takimit është biseduar për projektet që do të sillnin investitorët turq në Bosnje si dhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Komshiq tha se u ra dakord që takimi i ardhshëm trepalësh, Bosnje-Serbi-Turqi, të mbahet në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të diskutohet edhe për ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë.
“Nëse do të bënim një përmbledhje të marrëdhënieve tona dypalëshe gjatë tre vjetëve të fundit, atëherë mund të themi se Turqia dhe presidenti Erdogan janë një faktor i rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit”, tha anëtari tjetër i presidencës, Shefik Xhaferoviq.
Ndërsa, Millorad Dodik tha se e ka informuar presidentin Erdogan në lidhje me situatën politike në Bosnje.
“Unë u bëj thirrje njerëzve të Sarajevës të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe është e rëndësishme që ne të ruajmë paqen. Se si do të zhvillohen gjërat në Bosnje varet vetëm nga Bosnja. Unë jam për dialog me ndihmën e miqve tanë”, tha Dodik, i cili mban lidhje të afërta me Serbinë dhe disa herë është shprehur edhe në favor të ndarjes së Republika Sërpskës, entitetit serb të Bosnjës.
Me të arritur në Sarajevë, më 26 gusht, Erdogan u prit nga qindra qytetarë. Ai bëri një sheti në qytetin e vjetër të Sarajevës i shoqëruar nga anëtari i presidencës, Shefik Xhaferoviq dhe kreun e Bashkësisë Islame të Bosnjës, Husein Kavazoviq.
Ai u ndal në Xhamisë e Bashçarshisë në Sarajevë e cila u restaurua përmes financimit turk.
“Kjo xhami u ndërtua në 1527, pësoi zjarre dhe luftëra, por mbeti në këmbë. Ajo pësoi shkatërrimin më të madh nga viti 1992 deri në 1995”, tha Erdogan. /rel