Erdoğan: Të ishim një popull që synon simbolet e besimeve të tjera, Manastiri Sümela do të zhdukej

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përmes video-lidhjes rihapi sot Manastirin Sümela, një manastir historik në provincën Trabzon të Detit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë këtij evenimenti, presidenti Erdoğan kundërshtoi kritikat për rihapjen e Xhamisë së Madhe Ajasofja (Ayasofya-i Kebir Cami-i Şerifi) si një xhami javën e kaluar.

“Të ishim një popull që synon simbolet e besimeve të tjera, Manastiri Sümela që e kemi 5 shekuj në duart tona do të zhdukej përgjithmonë”, tha Erdoğan.

Më 24 korrik, falja e namazit të xhumasë në Ajasofja shënoi adhurimin e parë pas 86 vjetësh.

“Më 15 gusht, qytetarët tanë ortodoksë do të mund të kryejnë ritualin fetar për Virgjëreshën Mari, që u pamundësua gjatë periudhës së restaurimit të Manastirit Sümela”, shtoi ai.

Në Manastirin Sümela, një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit fetar në Turqi, përfunduan punimet e restaurimit, peizazhit, përforcimit dhe hulumtimit të shkëmbinjve në aspektin gjeologjik dhe gjeoteknik.

Për arsye të rrezikut të rënies së shkëmbit, pjesa deri në oborrin e Manastirit Sümela ishte mbyllur për vizita në shtator të vitit 2015, ndërsa pas përfundimit të fazës së parë të projektit përreth objektit sërish ishte hapur për vizita më 25 maj 2019.

Manastiri Sümela, që ndodhet në rrethin Maçka të Trabzonit, ka rëndësi historike dhe kulturire, ndërsa nga viti 2000 është pjesë e Listës së Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në Manastirin historik Sümela, më 15 gusht të vitit 2010, pas 88 vitesh ishte mbajtur ceremoni fetare me leje të Ministrisë së Kulturës dhe Turqizmit të Turqisë.

Manastiri i cili është i ndërtuar buzë shkëmbit, ka tërhequr vëmendjen e vendasve dhe të huajve, duke u frekuentuar nga qindra-mijëra vizitorë çdo vit.

Sipas agjencisë së OKB-së, ndërtimi i manastirit kishte filluar në vitin 385.