Erdogan takon disa deputetë nga Kosova, premton mbështetje në të gjitha fushat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur një grup të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët po qëndrojnë për vizitë në Turqi.

Ata janë pritur në Kuvendin e Madh Turk, ku siç ka njoftuar deputeti Mergim Lushtaku, i pari i Turqisë ka premtuar mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat.

“Në Kuvendin e Madh Turk, u mirëpritëm ngrohtësisht nga miku i madh i shqiptarëve, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan. Mikpritja, modestia, afërsia, janë disa nga tiparet që e karakterizojnë këtë lider të përmasave botërore. ‘Turqia do të vazhdoj të mbështes popullin e Kosovës në të gjitha fushat’”, ka shkruar Lushtaku, përcjell teve1.info.

Ai ka thënë se Turqia është partnere strategjike e cila ka mbështetur pa rezervë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.

“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, roli i Presidentit Erdoğan është shumë i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka shkruar Lushtaku.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pjesë e Grupit të Miqësisë Kosovë-Turqi po qëndrojnë për vizitë në Ankara.