Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan u takua në Itali me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohammed bin Zayed Al Nahyan, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës turke thuhet se Erdoğan në takimin me Al Nahyan që u mbajt në kuadër të takimeve në Borgo Egnazia të Italisë për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G7-tës diskutoi për marrëdhëniet mes Türkiyes dhe EBA-së si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Në takim presidenti Erdoğan tha se është e rëndësishme që Bota Islame të qëndrojë në unitet kundër politikave gjenocidale që Izraeli zbaton në territoret e Palestinës.
Erdoğan deklaroi se sigurimi i një armëpushimi të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza si dhe qasja me lehtësi e palestinezëve në ndihmat që dërgohen në rajon për nevoja humanitare u trajtuan si pikë kryesore e rendit të ditës dhe se për këtë duhet të bëhen përpjekje.