Erdoğan takim online me Merkel: E papranueshme mbështetja e disa vendeve për egoizmin e Greqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi takim përmes video-konferencës me kancelaren gjermane Angela Merkel, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, dy liderët kanë diskutuar çështjet rajonale, veçanërisht zhvillimet në Mesdheun Lindor, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Erdoğan ka thënë se janë në favor të një ndarjeje të drejtë në Mesdheun Lindor me të cilën do të mbroheshin të drejtat e Turqisë dhe qipriotëve turq dhe të gjitha vendet relevante do të përfitonin, por ka shtuar se Greqia dhe pala qipriote greke dhe vendet që i mbështesin ato ndërmarrin hapa që përshkallëzojnë pazgjidhshmërinë dhe tensionet.

Gjatë bisedës me kancelaren gjermane, Erdoğan ka thënë se është e papranueshme që disa vende mbështesin qëndrimin e padrejtë dhe egoist të Greqisë, duke riafirmuar se gjithmonë dhe në çdo vend do të vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat dhe interesat e Turqisë kundër tentativave që shpërfillin të drejtën ndërkombëtare.

Presidenti Erdoğan ka mirëpritur përpjekjet e Angela Merkelit për të kontribuar në zgjidhjen e problemit të shkaktuar nga Greqia dhe vendet mbështetëse me hapat në Mesdheun Lindor që dëmtojnë paqen rajonale.

Në takimin online të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, shefi i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, Hakan Fidan, shefi i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, dhe zëdhënësi presidencial, İbrahim Kalın.