Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka thënë se shtetet islame duhet të bashkëpunojnë me të gjitha mundësitë për t’i dhënë fund dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne duam të punojmë së bashku me qeverinë e Mianmarit dhe Bangladeshit për ta tejkaluar krizën humanitare në rajon. Autoriteteve të Bangladeshit ua kemi përçuar ofertat tona për ndihmë dhe pritjet tona për lehtësimin e nevojshëm të gjendjes së muslimanëve që kanë ikur në territorin e tyre për të shpëtuar nga shtypjet dhe masakrat. Organizatat ndërkombëtare dhe vetë ne si shtete islame duhet të përpiqemi së bashku me të gjitha mundësitë tona që kjo tirani të marrë fund”, tha Erdoğan në hapjen e Samitin të Shkencës dhe Teknologjisë së Organizatës për Bashkëpunim Islam që po mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.