Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se ata mund të punojnë me qeverinë armene për normalizimin gradual nëse ata i qasen në mënyrë reale dhe jo të njëanshme akuzave.
Në prononcimin e bërë në interes të gazetarëve gjatë kthimit në vend në avion pas një vizite në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi, Presidenti Erdogan uroi që qeveria e re në Armeni të jetë e dobishme për rajonin.
Erdogan deklaroi se nevojiten qasje të reja dhe konstruktive në rajon.
“Megjithëse ka dallime në mendime dhe pritshmëri, do të ishte një veprim i përgjegjshëm për të bërë një përpjekje të sinqertë për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore në bazë të besimit, duke përfshirë respektin për integritetin territorial dhe sovranitetin e njëri-tjetrit. Historia e fundit nuk duhet të jetë një burim armiqësie; duhet të ndërmerren hapa konstruktivë për paqen dhe bashkëjetesën e qëndrueshme. Në vend të akuzave të njëanshme, duhet të mbizotërojnë qasjet reale. Ne mund të punojmë për të normalizuar gradualisht marrëdhëniet tona me një qeveri armene që deklaron gatishmërinë e saj për të lëvizur në këtë drejtim”, bëri të ditur kreu i shtetit turk.
Erdogan theksoi se paqja dhe stabiliteti tani duhet të bëhen të përhershme dhe duhet të sigurohen kushtet për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, ndërsa shtoi se Azerbajxhani ka propozuar të fillojë negociatat me Armeninë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes.