Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, revolucionin sirian e ka quajtur një “mundësi historike” për Türkiyen dhe rajonin, duke u zotuar se do të arrijë qëllimin e Türkiyes për t’u bërë vend pa terror, raporton Anadolu.
“Me revolucionin sirian është hapur një dritare historike e mundësive si për vendin tonë ashtu edhe për rajonin tonë. Ne do të realizojmë idealin tonë për një Türkiye pa terror”, tha presidenti Erdoğan në një program për Ditën e Administratorëve në Ankara.
Presidenti Erdoğan theksoi dëmin e madh të shkaktuar nga konflikti 13-vjeçar i Sirisë, duke vlerësuar humbjet mbi 500 miliardë dollarë.
“Ekipet tona që vizitojnë Sirinë raportojnë se situata është shumë më e keqe”, theksoi ai.
Duke kritikuar njerëzit që u kërkojnë refugjatëve sirianë të largohen nga Türkiye, ku po strehohen më shumë se 3 milionë sirianë, Erdoğan tha se “do të vazhdojmë të mbështesim vëllezërit dhe motrat tona siriane që kontribuojnë në pasurimin ekonomik, social dhe kulturor të Türkiyes”.
Bashar al-Asad, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vite, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund sundimit prej dekadash të familjes së tij.
Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) arritën kontroll mbi qytetet kryesore në një ofensivë që zgjati më pak se dy javë.
Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa ka marrë tani përgjegjësinë.