Erdoğan: Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë paqen, qetësinë dhe stabilitetin në rajonin tonë

Qëllimi i vetëm i Türkiyes është të sigurojë paqen, qetësinë dhe stabilitetin në gjithë rajonin e saj, duke filluar nga Siria, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Duke folur në një takim të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoğan tha: “I përshëndes me plot respekt vëllezërit tanë sirianë që pas një përpjekjeje 13-vjeçare arritën një fitore madhështore”.

Presidenti Erdoğan tha se janë të lumtur kur shohin “krah për krah flamurin e lirë sirian dhe flamurin tonë me yll dhe gjysmëhënë në Halep, Damask, Hama, Homs, Dera dhe Munbixh”.

“Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë në mënyrë të fuqishme paqen, qetësinë dhe stabilitetin në çdo pëllëmbë të rajonit tonë, duke filluar nga Siria”, deklaroi Erdoğan.

“Tashmë mund të shihet se ata që kanë mbajtur zi për Asadin për tri javë, synojnë të drejtojnë zhgënjimin e tyre për humbjen e një aleati në Damask drejt të shtypurve”, shtoi ai.

Erdoğan po ashtu u zotua për eliminimin e organizatës terroriste PKK.

“Ne do ta eliminojmë organizatën terroriste ndërsa ajo përpiqet të ndërtojë një mur gjaku mes nesh dhe motrave dhe vëllezërve tanë kurdë”, tha presidenti turk.

Duke folur për ekonominë e vendit të tij, Erdoğan tha se “të gjitha të dhënat tregojnë se ekonomia turke po bën hapa të fortë drejt objektivit të rritjes me investime, prodhim, punësime, eksporte dhe suficit të llogarisë korrente”.