Erdoğan: Puna midis Turqisë dhe qeverisë legjitime të Libisë duhet të vazhdojë me vendosmëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është shprehur se vendi i tij duhet të vazhdojë shumë seriozisht dhe me vendosmëri punën me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Puna midis Turqisë dhe qeverisë legjitime të Libisë duhet të vazhdojë shumë seriozisht dhe me vendosmëri”, tha Erdoğan në një prononcim për mediat.

Presidenti turk gjithashtu theksoi se Ankaraja zyrtare dëshiron të “vëzhgojë nga afër” zhvillimet në Libi, pasi informoi se ministri turk i Mbrojtjes mbërriti sot në vendin afrikan të shkatërruar nga lufta civile.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Yaşar Güler, kanë mbërritur në Libi për të ekzaminuar aktivitetet e zhvilluara në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit për sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve.

Pas ceremonisë ushtarake të mbajtur në aeroportin Mitiga, Akar dhe Güler vizituan komandën e krijuar në kuadër të memorandumit midis dy vendeve.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Tripoli nënshkruan dy memorandume të veçanta; njëri për bashkëpunimin ushtarak dhe tjetri për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Pakti detar synon ruajtjen e të drejtave të Turqisë në Mesdheun Lindor përballë sondimit të njëanshëm nga administrata greke qipriote, duke sqaruar se Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) gjithashtu ka të drejta për burimet në zonë. Pakti hyri në fuqi më 8 dhjetor.

Pas marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Ankaraja mund të marrë në konsideratë dërgimin e trupave në Libi nëse qeveria e njohur nga OKB në Tripoli bën një kërkesë të tillë.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të sulmeve ushtarake të forcave të komandantit renegat Khalifa Haftar.

Shpërthimi në fabrikën e fishekzjarrëve

Pas shpërthimeve në një fabrikë të fishekzjarrëve në Turqinë veriperëndimore, nga 189 punonjës, të paktën 4 persona kanë humbur jetën dhe 74 të tjerë janë plagosur, ndërsa presidenti Erdoğan tha se të gjitha llojet e masave janë marrë që tani.

Ai u shpreh se shpreson të dëgjojë lajme më të mira nga vendi i ngjarjes dhe njerëzit të shëndoshë të kthehen në familjet e tyre.

Më herët, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, njoftoi se në vendin e ngjarjes në provincën Sakarya janë dërguar 85 auto-ambulanca, 2 ambulanca helikopterë dhe 11 ekipe të kërkim-shpëtimit.

Siç bëhet e ditur, ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe ministrja e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale, Zehra Zümrüt Selçuk kanë shkuar në zonën e fatkeqësisë.