Erdoğan: Prania ushtarake e Turqisë në Katar i shërben stabilitetit të Gjirit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se prania ushtarake e vendit të tij në Katar i shërben stabilitetit dhe paqes jo vetëm për Katarin, por për të gjithë rajonin e Gjirit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë me të përditshmen “The Peninsula” të Katarit, presidenti Erdoğan tha se “askush përveç atyre që bëjnë plane kaosi nuk duhet të shqetësohen nga Turqia dhe prania ushtarake turke në rajonin e Gjirit”.

Duke iu referuar pozicionit të Turqisë në Siri, Erdoğan theksoi se vendi i tij nuk synon territorin e askujt dhe se Turqia nuk do të jetë e përhershme në tokat e këtij vendi të shkatërruar nga lufta civile.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer tre operacione të suksesshme kundër-terroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori të terrorit dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve, respektivisht operacionin Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011. GNA u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB). Por përpjekjet për një zgjidhje afatgjate kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat besnike të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar, i cili mbështetet nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Rusia. 

Presidenti Erdoğan foli edhe për çështjen e Mesdheut Lindor, duke deklaruar se, “Ata që vërejnë vendosmërinë tonë në Mesdheun Lindor dhe që kuptuan se nuk mund ta bëjnë vendin tonë të tërhiqet me kërcënime dhe shantazhe boshe, në fund u kanë kushtuar vëmendje thirrjeve tona për dialog”.

Lidhur me Libinë, presidenti turk tha se Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë është e vetmja strukturë legjitime në këtë vend dhe shtoi se “legjitimitet do të ketë sukses atje, ndërsa puçistët do të humbasin”.

Më tej, ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të punojë së bashku me SHBA-të dhe NATO-n, në të gjitha platformat për çështja si lufta kundër terrorizmit, për demokracinë dhe përfundimin e konflikteve.

Duke iu referuar konfliktit në vazhdim midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi Malësinë e Karabakut, presidenti turk tha se, “Përpjekja e Armenisë për të paraqitur Turqinë brenda konfliktit përmes dredhive të ndryshme, pas humbjes së saj të rëndë gjatë përpjekjes së fundit të saj të pushtimit, ka qenë prova e izolimit dhe dëshpërimit të saj”.

Përleshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile azerbajxhanse dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar edhe viktima.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.