Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdoğan: Përpjekja e re e Biden-it për ar’mëpushim në Ga’za vjen “me...

Erdoğan: Përpjekja e re e Biden-it për ar’mëpushim në Ga’za vjen “me vonesë, por ende e rëndësishme”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se përpjekja e re e presidentit amerikan, Joe Biden, për një armëpushim në Rripin e Gazës vjen me vonesë, por akoma është e rëndësishme, raporton Anadolu.

Presidenti Erdoğan ka pritur me një ceremoni zyrtare në kompleksin presidencial në Ankara Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, i cili shënon vizitën e parë të një kreu shteti të Omanit në Turqi.

Pas takimeve dypalëshe dhe në nivel delegacioni, liderët e dy vendeve morën pjesë në një ceremoni të nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, pas çka presidenti Erdoğan dhe Sulltani Haitham folën në një konferencë të përbashkët për media.

“Njoftimi i presidentit Biden për një iniciativë të re për një armëpushim në Gaza është një hap i vonuar, por megjithatë një hap është i rëndësishëm”, tha presidenti Erdoğan në konferencën për media.

Presidenti Erdoğan këtë e tha një ditë pasi një armëpushim midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi pas disa muajsh luftimesh ndërkufitare

“Paqja rajonale dhe globale nuk mund të arrihet nëse nuk vendoset një armëpushim urgjent, i drejtë dhe i qëndrueshëm në Gaza,” tha presidenti Erdoğan.

Që nga fillimi i këtyre konflikteve, theksoi Erdoğan, Ankaraja vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme, qoftë me ndërmjetësim apo si garantues, për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm.

“Sot, ne qëndrojmë të vendosur në të njëjtin pozicion. Nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që kërkohet për të vendosur qetësinë dhe paqen në Gaza”, shtoi ai.

Të martën, Biden tha se SHBA-ja do të bëjë një “shtytje tjetër” me Turqinë, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe të tjerët për të arritur një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh në Gaza.

Erdoğan tha se Turqia i jep “rëndësi të madhe” konsultimeve dhe bashkëpunimit me Omanin për këto çështje.

“Ne theksuam nevojën që bota muslimane të angazhohet në bashkëpunim më konkret dhe gjithëpërfshirës në përgjigje të masakrave të Izraelit në Palestinë dhe sulmeve të tij që kërcënojnë sigurinë e rajonit”, tha Erdoğan.

– Lidhjet midis Omanit dhe Türkiyes

Presidenti Erdoğan tha se udhëtimi i Sulltanit të Omanit shënon vizitën e parë zyrtare shtetërore nga Omani në Turqi në nivel presidencial. Ai tha se planifikon të zhvillojë një vizitë kthimi në Oman në të ardhmen e afërt.

Erdoğan tha se Turqia ndan “lidhje të thella historike dhe vëllazërore” me Omanin dhe theksoi se lidhjet dypalëshe do të vazhdojnë të zhvillohen në të gjitha fushat.

“Ne synojmë t’i çojmë marrëdhëniet në ‘masë edhe më të lartë në të gjitha fushat. Ne jemi të etur për t’i dhënë një kornizë më institucionale marrëdhënieve tona. Për këtë qëllim, ne kemi shqyrtuar opsione të ndryshme, duke përfshirë mekanizmin e bashkëpunimit strategjik të nivelit të lartë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk njoftoi se janë nënshkruar dhjetë marrëveshje për të avancuar bashkëpunimin në fusha të tilla si marrëdhëniet me jashtë, ekonominë, industrinë, investimet, shëndetësinë, kulturën, bujqësinë dhe blegtorinë. Gjithashtu, tha ai, është miratuar një deklaratë e përbashkët.

Ai gjithashtu njoftoi se deri më sot kompanitë turke kontraktuese kanë përfunduar me sukses projekte me vlerë 7 miliardë dollarë në Oman. Ai shtoi se me Sulltarin e Omanit diskutuan edhe atë si kompanitë turke mund të kontribuojnë në Vizionin e Omanit 2040, një plan strategjik afatgjatë që ka për qëllim të udhëheq zhvillimin dhe përparimin e vendit të Gjirit.

“Ne në fazën e parë synojmë të rrisim marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare në 5 miliardë dollarë, duke reflektuar potencialin tonë aktual. Duke filluar nga viti 2025, me nisjen e furnizimit me gaz të lëngshëm nga Omani, ne do të hyjmë në një epokë të re në bashkëpunimin tonë në sektorin e energjisë”, tha presidenti turk.

Exit mobile version