Erdoğan: Pavarësisht 50 mijë dëshmorëve, populli i Gazës nuk u përkul para shtypësit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se populli i Gazës nuk u dorëzua pavarësisht numrit të lartë të dëshmorëve të vrarë nga sulmet izraelite që nga tetori i vitit 2023, raporton Anadolu.

“Pavarësisht se dha mbi 50 mijë dëshmorë, kryesisht gra dhe fëmijë, Gaza nuk u dorëzua, nuk arritën ta nënshtrojnë. Populli i Gazës nuk u përkul para shtypësit”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij mongol Ukhnaa Khurelsukh në kryeqytetin Ankara.

Presidenti Erdoğan i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të respektojë detyrimet e tij ndaj popullit të Gazës.

“Qeveria izraelite nuk duhet të lejohet të shkelë armëpushimin”, tha ai.

Bota “duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj ligjore dhe morale ndaj banorëve të Gazës”, tha Erdoğan.

“Si një aleancë e njerëzimit, ne duhet të punojmë më shumë, veçanërisht nga ky çast e tutje, për të siguruar respektimin e armëpushimit dhe për të shëruar plagët në Gaza”, vuri në dukje Erdoğan.

Ai shprehu bindjen që “bisedimet e paqes për një shtet të pavarur dhe sovran palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Khurelsukh, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen e vendit të tij për “përpjekjet e Türkiyes për të vendosur paqen në shkallë globale dhe rajonale”.

Më herët gjatë ditës, Erdoğan priti presidentin Khurelsukh në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin Ankara.

Konferenca e përbashkët për shtyp erdhi pas takimeve kokë më kokë dhe në nivel delegacioni.

Ukhnaa mbërriti në Türkiye të mërkurën për një vizitë zyrtare pesëditore.