Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka përsëritur edhe një herë thirrjen e tij për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, duke deklaruar se kjo është mënyra e vetme për ta paguar borxhin ndaj fëmijëve të vrarë palestinezë, raporton Anadolu.
“Ne të gjithë kemi një borxh ndaj fëmijëve të vrarë palestinezë dhe ky borxh mund të paguhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur palestinez”, u tha presidenti Erdoğan ambasadorëve në Ankara gjatë një iftari të organizuar me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.
Presidenti turk tha se vendi i tij do të mbrojë vëllezërit palestinezë, siç ka bërë deri më tani dhe nuk do tërhiqet.
“Ata nuk mund të na ndalojnë që t’i referohemi vrasësve si vrasës. Në vend që të përpiqen të fshehin të vërtetën e gjenocidit, liderët izraelitë duhet të përgjigjen për foshnjat që vdiqën në Gaza”, tha Erdoğan.
Të paktën 31 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga inkursioni i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, i cili sipas Tel Avivit vrau rreth 1.200 njerëz dhe mori peng rreth 250 të tjerë.
Sulmi ushtarak ka çuar në shkatërrim masiv, zhvendosje të brendshme dhe mungesë të nevojave themelore në territorin e rrethuar, me fëmijët që gjithashtu vdesin nga kequshqyerja dhe dehidratimi.
İzraeli gjithashtu akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Büyükelçiler ile İftar https://t.co/LUfFIvYWl4
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) March 12, 2024