Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri vlerësime dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në avion gjatë kthimit nga Rusia.
Në lidhje me armëpushimin në Idlib, Erdoan tha: “Jemi në gatishmëri çdo moment kundër shkeljeve dhe sulmeve të mundshme të regjimit sirian. Nëse bëhen plasaritje do të ndërhyjmë menjëherë. Synimi ynë është vënia në veprim në Siri të procesit politik në rezolutën numër 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ti japim fund luftës civile në Siri. Kur shkuam në Moskë kishim në objektivë armëpushimin dhe këtë e arritëm”, tha Erdoan.
Kurse në lidhje me pikat turke të vrojtimit në Idlib tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim dhe shtoi se në Idlib nuk ka asnjë ngjarje ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.
“Atje nuk jemi përballë Rusisë, jemi përballë regjimit (të Esadit)”, tha presidenti turk.
Kurse në lidhje me refugjatët që mundohen të shkojnë nga Turqia në Evropë, Presidenti Erdoan tha: “Në këtë proces nuk kemi kohë të debatojmë me Greqinë, ajo punë ka marrë fund. Refugjatët do të shkojnë deri ku mund të shkojnë. Ne nuk i nxjerrim me zor nga vendi ynë”.
Ai tha gjithashtu se Perëndimi sillet me hipokrizi.
“Greqisë i premtuan menjëherë 700 milionë euro. Jo 700 milionë euro por për 25 milionë euro u shpreh kancelarja (gjermane Angela Merkel) në lidhje me Turqinë, por për fat të keq nuk u dëgjua më”, tha kreu i qeverisë turke.
Kurse në lidhje me sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, që Turqia bleu nga Rusia tha se ato janë marrë plotësisht në dorëzim dhe do të vihet në veprim duke filluar nga muaji prill.
Presidenti Erdogan bëri të ditur se në takim që pati dje me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin shqyrtuan edhe çështjen e Libisë dhe shprehu se Turqia pret një rezultat të ngjashëm me Idlibin edhe në Libi.