Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan gjatë një fjalimi tha se Turqia padyshim që nuk ka hequr dorë nga objektivi i saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), që është politika zyrtare e shtetit.
Erdoğan ka mbajtur një fjalim në takimin e kryetarëve të qyteteve nga AK Partia me ç’rast në lidhje me politikat e anëtarësimtit të Turqisë tha: “Turqia padyshim që nuk ka hequr dorë nga objektivat e saj strategjik të anëtarësimit në BE, të cilat janë politika zyrtare e shtetit. Ne kemi përmbushur dhe përmbushim detyrat tona që nga dita kur kanë nisur negociatat fillimisht për anëtarësimin si kandidat dhe për anëtarësim të plotë. Ne detyrën tonë e kemi kryer”.
“Vonesat me burim nga BE-ja nuk i kemi bërë problem me besimin se do të rrisin standardin demokratik dhe ekonomik të qytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë kemi përparuar drejt rrugës sonë. Por, natyrisht që nuk është një situatë e durueshme që BE-ja e cila nuk mban premtimet e dhëna ndaj vendit tonë të kthehet dhe të na akuzojë neve”, tha Erdoğan.
Sipas tij, është aktualisht BE-ja që duhet të bëjë hapin. “Ose do të mbajnë premtimin e dhënë për të hapur anëtarësimin e plotë dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre në lidhje me parandalimin e migrimit të parregullt ose të dalin dhe të shprehen se ‘Ne nuk dëshirojmë të vazhdojmë rrugën me Turqinë‘. Kjo nuk ka rrugëdalje tjetër. Ne gjithashtu nuk do t’u japim mundësi atyre që përpiqen të përdorin Turqinë si material në fushatat e tyre zgjedhore”.
“Nga organet e BE-së dhe vendet evropiane kërkojmë që të jenë realë dhe të sinqertë në politikat e tyre ndaj Turqisë”, tha Erdoğan duke shtuar se “Në Evropë kanë nisur të dalin zëra kundër anëtarësimit, apo që pas zgjedhjeve do të aplikojnë për të penguar.
“Në këtë nuk është përcaktuese Gjermania. Ky është një bashkim dhe për këtë arsye vendimi merret bashkarisht‘. Qoftë e hairit merreni sa më parë këtë vendim. Në të vërtetë nëse nuk mund të toleroni as marrëdhënien aktuale të Turqisë me BE-në atëherë këtë dilni dhe shpreheni burrërisht dhe bëni atë që është e nevojshme”, theksoi presidenti Erdoğan.
Ndërsa në lidhje me situatën në Arakan, Erdoğan tha se “Ne sigurisht që e dimë se problemi në Arakan shkaktohet si pasojë e një të kaluare të gjatë që ka arsye komplekse dhe e cila ngacmohet vazhdimisht me llogari të ndryshme. Është mirë të dini se shumica e lajmeve, fotove dhe pamjeve në media dhe kryesisht në median sociale nuk kanë lidhje me Arakanin. Një pjesë e këtyre fotografive janë përdorur në shumë ngjarje ashtu sikurse në ngjarjet Gezi tek ne dhe në aktet e hapjes së hendeqeve nga organizata terroriste separatiste”.
Gjithashtu presidenti Erdoğan në fjalën e tij ka cekur edhe çështjen e Koresë së Veriut.
“Dëshiroj të them se po ndjekim nga afër dhe me shqetësim tensionet që kanë burimin nga testimet raketore të Koresë së Veriut. Urojmë zgjidhjen sa më parë të kësaj krize e cila është në interes të drejtpërdrejt të miqve tanë si Japonia dhe Koreja e Jugut. Është e qartë se nuk do të ketë fitues të kësaj grindjeje e cila zhvillohet mbi armët e asgjësimit masiv. Kush janë ata që na rekomandojnë neve ‘kujdes mos bëni armë të shkatërrimit në masë?‘. Ata që na thonë neve ‘kujdes‘ janë po ata që posedojnë armët më të forta të shkatërrimit masiv. Mirë, këtë e kuptuam por çfarë do të bëhet me ato që ju keni në duar?”, tha ai.
“Në një grindje të tillë nuk do të dëmtohen palët por e gjithë njerëzia. I bëj thirrje Koresë së Veriut që të heqë dorë sa më parë nga aktet që përshkallëzojnë tensionet”, tha Erdoğan.