Erdogan: Nuk ka asnjë dallim mes Boko Haram, FETO dhe DEASH

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të enjten në Ankara se nuk ka asnjë dallim midis organizatave terroriste Boko Haram, FETO ose DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sido që quhen, cilido qoftë qëllimi i tyre, të gjitha këto organizata terroriste janë tufa vrasësish që ushqehen me gjakun e të pafajshmëve”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e Nigerisë, Muhammadu Buhari, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Turqi.

Boko Haram, grup i lidhur me organizatën terroriste DEASH që gjendet në verilindje të Nigerisë, ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur 2,3 milionë nga shtëpitë e tyre, sipas Amnesty International dhe Kombeve të Bashkuara (OKB), ndërsa është radhitur si grupi terrorist më vdekjeprurës në botë nga Indeksi Global i Terrorizmit 2015.

Erdoğan përsëriti se lufta kundër FETO-s, organizatës terroriste e cila orkestroi tentativën për grusht shteti në Turqi vitin e kaluar, nuk është vetëm në të mirë të Turqisë, por ndihmon edhe miqtë e saj.

“Turqia dhe Nigeria kanë vuajtur të njëjtin fat për sa i përket terrorizmit. Tmerri i Boko Haramit ka marrë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm dhe të shtypurve në Nigeri. Rreth 1,5 milion njerëz në verilindje janë zhvendosur për shkak të këtij grupi terrorist”, theksoi presidenti turk.

“Ne qëndrojmë pranë miqve tanë nigerianë në luftën kundër terrorizmit”, tha ai.

Erdoğan theksoi se Turqia është gati të ndajë përvojën e saj dhe të japë të gjitha llojet e mbështetjes për luftën kundër terrorizmit.

Erdogan gjithashtu i kërkoi Nigerisë të ndërmarrë hapa për mbylljen e shkollave të drejtuara nga FETO në atë vend dhe të koordinohet me Turqinë për të luftuar këtë organizatë terroriste.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se institucionet e FETO-s nuk i shërbejnë popullit të vendit, por rekrutojnë militantë për vete”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti nigerian Buhari, duke folur për gazetarët, tha se “ka shumë potenciale për investime” në vendin e tij, duke shtuar se tashmë është punuar shumë në fushën e arsimit dhe shërbimeve shëndetësore.

Ai u bëri thirrje biznesmenëve turq të shqyrtojnë potencialin e Nigerisë.