Erdoğan: Nuk është Turqia ajo që rrit tensionet në Mesdhe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se “Nuk është Turqia ajo që rrit tensionet në Mesdhe, por mentaliteti greko-qipriot që përpiqet të injorojë Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan, mbajti një fjalim në takimin e zhvilluar me krerët rajonal të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në qendrën e përgjithshme të partisë në Ankara.

Duke deklaruar se prova më e madhe e mirëseardhjes së treguar për delegacionin turk nga autoritetet libaneze dhe populli libanez është valëvitja së bashku i flamujve turk dhe libanez Erdoğan tha se “Kjo ishte përgjigja e përpjekjeve që ne kemi kryer. Të gjithë libanezët nga grupe të ndryshme fetare, sektare dhe etnike përqafuan me dëshirë të madhe delegacionin turk. Turqia edhe pas kësaj pa asnjë dallim, pa asnjë interes dhe përfitim do të vazhdojë të qëndrojë përkrah popullit të Libanit”.

– “Pala qipriote e vëren ishullin si pronën e saj me tapi”

“Përveç disa margjinalëve që veprojnë si agjentë ndikues të të tjerëve, i gjithë populli prej 83 milionë mbështesin plotësisht hapat e ndërmarrë nga shteti ynë në kuadër të ligjit ndërkombëtar. Çdo gjë që Turqia ka bërë deri më sot në Mesdheun Lindor e ka bërë në bazë të legjitimitetit dhe sipas memorandumit të mirëkuptimit me Libinë. Nuk është Turqia ajo që rrit tensionet në Mesdhe, por mentaliteti greko-qipriot që përpiqet të injorojë Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore. Që nga viti 2003 pala qipriote greke e shikon ishullin si pronën e saj me tapi dhe teksa nuk ka asnjë të drejtë ajo jep leje favorizuese për gjetjen, kryerjen e aktiviteteve të kërkimit të naftës/gazit natyral në territoret e juridiksionit detar të ishullit”, tha presidenti turk.

Erdoğan theksoi më tej se “Disa nga e ashtuquajtura pjesë greke e zonës së licencave, bien ndesh qartë me shelfin kontinental të Turqisë. Administrata e Greqisë dhe e Qipros greke po përpiqen të grabisin të drejtat e turqve qipriotë për burimet e hidrokarbureve në këtë pozitë gjeografike. Një tjetër qëllim i hapave të paligjshëm janë edhe burgosja (bllokimi) në Gjirin e Antalias të vendit tonë i cili ka një vijë bregdetare të gjatë në Mesdhe. Të gjitha këto janë lëvizje për të rrethuar vendin tonë nga deti. Ne kemi deklaruar shumë herë më parë që nuk do të pranojmë kurrë një lojë të tillë. Po ashtu kemi shprehur se asnjë vend i huaj, kompani ose një anije e huaj nuk do të mund të kryejë aktivitete kërkimi/nxjerrjeje pa leje në territoret e juridiksionit tonë detar. Por kohët e fundit, vërejmë që me nxitjet e administratës greke dhe Qipros greke ka hedhur hapa të gabuar edhe një vend i cili nuk ka brigje në Mesdheun Lindor. Askush nuk duhet të shikojë veten e tij në pasqyrën gjigande. Po flas qartë, që askush të mos rendë për të bërë shfaqe”.

Pasi ka tërhequr vëmendjen që Turqia deri më tani zgjidhjen e problemeve me Greqinë e ka kërkuar në diplomaci, në tryezën e negociatave, Erdoğan, tha se “Kemi vepruar me qasjen që merr për bazë marrëdhëniet tona fqinjësore edhe pse herë herë nuk e kemi gjetur këtë. Nga këtu dua të nënvizoj me vija të trasha, që ne nuk synojmë askënd, por nuk lejojmë asnjë vend që të na marrë të drejtat. Nuk ka shanse të ketë sukses asnjë përpjekje dhe marrëveshje e cila përjashton, që shkel të drejtat dhe ligjin ndaj Turqisë dhe turqve qipriotë”.

– “Oruç Reis, do të kryejë aktivitete të kërkimeve sizmike deri më 23 gusht”

Punimet që Oruç Reis, filloi të hënën janë brenda kufijve të shelfin kontinental që Turqia i ka njoftuar Kombeve të Bashkuara, deklaroi Erdoğan, duke theksuar se kjo zonë ndodhet në zonat e licencuara të dhëna ndaj kompanive turke të naftës në vitin 2012.

Këto leje janë ndarë me opinionin e Turqisë dhe atë botëror duke u publikuar në fletoren zyrtare njoftoi Erdoğan, duke shtuar se “Anija jonë Oruç Reis, do të kryejë aktivitete të kërkimeve sizmike deri më 23 gusht. Qëndrimi i Greqisë në Egje dhe Mesdhe është me qëllim të keq. Kërkimi i një juridiksioni detar përmes ishullit Meis (Kostellorizo), i cili është 580 kilometra larg, nga toka kryesore greke dhe 2 km nga brigjet turke, nuk mund të shpjegohet me mendje dhe sens të përbashkët. Pretendimi se një ishull prej 10 km katrorë ka një territor detar 40 mijë km katrorë, është edhe komike edhe e pabazë nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar. Nga këtu e ftoj përsëri Greqinë që të respektojë të drejtën dhe ligjin e Turqisë”. 

Presidenti i Turqisë tha se rruga e zgjidhjes në Mesdhe është dialogu dhe negociata dhe shtoi se “Nëse veprohet me mendje dhe sens të përbashkët mund të gjendet një formulë me bazën fito-fito që mbron të drejtën e të gjithëve. Ne kurrë nuk rendim pas një aventure të panevojshme, nuk duam as tension. Por ata që sulmojnë bashkatdhetarët, vëllezërit e mi në Trakian Perëndimore duhet ta dinë se do të japin llogari edhe në ligjin ndërkombëtar edhe me mënyra të tjera”.

“Sigurisht nga këtu paralajmëroj edhe Bashkimin Evropian. A e përmbush një vend, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian, detyrimin e tij për të mbrojtur ligjin e pakicave, sipas ligjit të Bashkimit Evropian? Bashkimi Evropian duhet t’i kërkojë administratës Greke që të japë llogari për këtë. Në fakt këtë do t‘ua kujtoj që të dy politikanëve në bisedimet tona sot (Angela Merkel dhe Charles Michel). Ne kërkojmë vetëm drejtësi, të drejtën tonë dhe është detyrë e jona që të mbrojmë të drejtën e bashkatdhetarëve tanë. Gjithashtu dua të rikujtoj. Presim që të gjithë bashkëbiseduesit tanë të respektojnë të drejtat e vendit tonë dhe të turqve qipriotë”, u shpreh presidenti i Turqisë.

Ndër të tjera Erdoğan ka folur edhe për koronavirusin ku pasi ka bërë të ditur se virusi ka ndryshuar rrënjësisht shumë gjëra në jetë, ai i ka kërkuar popullit që të ketë konsideratë “pastërtinë, maskën dhe distancën”. Nëse veprohen këto, problemi i Turqisë për këtë çështje do të zvogëlohet, shtoi Erdoğan.